Partia Uniteti Kombëtar do ta ketë emrin në fletën e votimeve, të zgjedhjeve, te 30 qershorit.

Në këtë mënyrë kolegji zgjedhor ligjëroi mbajtjen e zgjedhjeve vendore për sa kohe kryetari i partisë PUK, humbi me kërkesën për tu çregjistruar nga zgjedhjet duke e lidhur këtë pretendim me dekretin më të fundit të Presidentit Ilir Meta.

Por padia që u dorëzua si një përpjekje e PUK, për të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit ishte në fakt një përpjekje juridike, për të ritrajtuar edhe njëherë çështjen e dekretit të Presidentit që çdekretoi zgjedhjet.

Ndonëse ishin dy palë kundërshtare në proces, Idajet Beqiri dhe komisioni qendror i zgjedhjeve ndanë të njëjtin qendrim përsa i përket dekretit që anulloi zgjedhjet.

Sipas tyre ky dekret është nul dhe i pavlefshëm. Por gjykata kërkoi përgjigje për natyrën që ka dekreti i Presidentit, që u konsiderua nga KQZ si akt administrativ individual.

Vendimi i kolegjit pritej me interes pasi për një pjesë të politikës që nuk e njeh dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit , ky vendim do të thotë rrëzim i dekretit. Për pjesën tjetër që e njeh dekretin , arsyetimi përfshin gjykatën kushtetuese si institucionin që mund të prekë dekretin.

Sakaq menjëherë pas verdiktit, Presidenca ironizoi vendimin që indirekt rrëzoi edhe dekretin presidencial.

“Asnjë surprizë nga skeçi i radhës i orkestruar prej kohësh”, kështu reagoi përmes zëdhendësit, Presidenti Meta .

Mediat janë njoftuar se qëndrimi verbal do vijë një ditë më pas. Qeveria foli përmes zëdhënëses Elisa Spiropali e cila shkruan jo me më pak ironi se ky moment kur Ilir Meta nuk ndikon dot më mbi trupin gjykues dhe flet për skeç të orkestruar, është fiks si ai momenti kur agresori bën viktimën duke folur për kurth të organizuar nga viktima. Ky vendim politikisht është komentuar edhe si një rrëzim i dekretit të tyre të Presidentit.

Disa burime kanë thënë për Top Channel, se Ridvan Hado, Artur Malaj dhe Tomorr Skreli kanë rrëzuar PUK-në.

Top Channel