Kisha Ortodokse e Shqipërisë ka reaguar me një deklaratë pas përdorimit të Kishave për fushatë nga të paktën dy kandidatë të Partisë Socialiste, Tërmet Peçi në Tepelenë dhe Majlinda Bufi në Roskovec.
Kisha Ortodokse e konsideron të papranueshëm përdorimin e mjediseve kishtare për qëllime politike, duke theksuar se ky veprim përbën një fyerje të ndjenjave fetare komunitare dhe institucionale.
Intervista në Kishë, Majlinda Bufi reagon pas Mitropolisë: Nuk bëra fushatë
Reagimi i Kishës Ortodokse
Ditët e fundit, në dy raste, në kuadrin e fushatës parazgjedhore, ka pasur përdorim të papranueshëm të mjediseve kishtare për qëllime politike. Në Kurjan të Roskovecit, në Mitropolinë e Fierit, është bërë një prezantim kandidati në mjediset e kishës monument kulture të Shën Nikollës dhe në fshatin Lekël të Tepelenës, në Mitropolinë e Gjirokastrës,ka pasur gjithashtu një takim politik parazgjedhor në mjediset e kishës së Profetit Ilia, të dyja pa dijeninë e Mitropolive përkatëse.
Përdorimi i ambienteve të brendshme të kishave të shenjta për aktivitetet politike në fushatat zgjedhore përbën një fyerje të ndjenjave fetare komunitare dhe institucionale. Çdo kishë orthodhokse, si objekt kulti i komunitetit orthodhoks, është vend i shenjtë adhurimi dhe lutjeje dhe nuk mund të përdoret në asnjë rast për qëllime politike.
Këto veprime janë në kundërshtim me “Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” (Ligji nr. 10 057, dt. 22.01.2009). Prandaj, kërkojmë që këto veprime të mos përsëriten dhe që për vendet e shenjta të tregohet respekti që imponon ligji dhe bashkëjetesa fetare.
Top Channel