Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku ka marrë pjesë në Konferencën 3 ditore të Kryetarëve të Gjykatave Supreme dhe Prokurorëve të rajonit që po zhvillohet në Mal te Zi.

Marku mbajti fjalën e saj mbi mbrojtjen penale juridike dhe mekanizmat e luftës kundër terrorizmit dhe migracioneve të paligjshme.

Sipas Markut nga hetimet rezulton se personat që i janë bashkuar këtyre formacioneve janë persona me nivel të ulët arsimor dhe vështirësi të mëdha ekonomike

“Shqipëria ka marrë masat e saj ligjore e teknike për të goditur këdo që synon të bashkohet me terroristët ose që rekruton luftëtarë kundër njerëzve të pafajshëm. Në Shqipëri, nga hetimet e deritanishme, rezulton se personat që i janë bashkuar këtyre formacioneve janë persona me nivel të ulët arsimor dhe vështirësi të mëdha ekonomike. Pra, janë njerëz, të cilët besojnë se duke u bashkuar me terrorin, mund të jetojnë më mirë. Në vende të ndryshme ka arsye të ndryshme se përse individët i bashkohen grupeve të terrorit. Pavarësisht arsyeve, sapo këta individë bashkohen me terroristët, kanë një të përbashkët të frikshme – nga ai moment kthehen në vrasës potencialë.

Megjithatë, vlen të theksohet e ritheksohet se këto fenomene nuk luftohen nëse shtetet nuk bashkëpunojne me njeri tjetrin. Bashkëpunimi duhet të jetë shumë i gjerë dhe jo vetëm për hetimin e çështjeve. Bashkëpunimi duhet të jetë i hershëm, i vazhdueshëm, me nje shkëmbim intensiv informacionesh”, tha Marku./gazetashqip

Top Channel