Rekordi i ri i Izmir Smajlajt/ Garat e kërcimit së larti, arrin rezultatin 8.11 metër

23/06/2019 13:06

Kampioni i Europës, Izmir Smajlaj ka vendosur rekord të ri kombëtar në garat e kërcimit së gjati. Në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër ku po zhvillohet kampionati Kombëtar i 81-të i Atletikës, dita e parë solli rezultate surprizuese.

Shkodrani Smajlaj që tashmë mbron ngjyrat e klubit të Tiranës, arriti të thyejë rekordin e tij personal të vendosur me parë në “Elbasan Arena” 8.03 metër dhe në qytetin e tij, në kërcimin e tretë, arriti në kuotën 8.11 metër.

“Në Shkodër e kam për nder që të bëj garë. Këtu jam rritur dhe objektivi i radhës është kapja e normës olimpike dhe kapja e normës së botërorit”, tha  Izmir Smajlaj.

Afër rekordit kombëtar ishin edhe Franko Burraj në garën e vrapimit 400 metër për meshkuj si dhe Luiza Gega në 1500 metër për femra. Për kampionen absolute të Shqipërisë në vitet e fundit, tashme këto gara janë një formalitet pasi objektivat janë aktivitetet ndërkombëtare.

“Kampionati Kombëtar tashmë është kthyer për mua thjeshtë një detyrim për klubin. Synimet e mia i kam në garat ndërkombëtare dhe sot ishte thjeshtë një stërvitje. Aktualisht jam kualifikuar për në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në fund të muajit shtator, në garën e 3 mijë metrave me pengesa. Do të synoj kapjen e normës olimpike për ‘Tokio 2020’, që sigurisht është ëndrra e çdo sportisti”, tha Luiza Gega.

Kampionati kombëtar i atletikes vazhdon me ditën e dytë, ku krahas konkurrimeve individuale do të shpallen edhe ekipet kampione për femra dhe meshkuj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA