Peza është një ndër destinacionet e preferuara të familjarëve për të kaluar fundjavës. Po ashtu, të rinj e të reja, kanë zgjedhur natyrën e këtij vendi në vend të plazhit”.
Mjaftojnë vetëm pak minuta me makinë për të kaluar një të diel larg zhurmës së Tiranës.
Peza, është një nga zonat më të frekuentuara gjate fundjavës pranë kryeqytetit, për shkak të mundësive që ofron. Natyra e qetë dhe argëtimi në hapësirat e gjelbërta, kanë bërë që ky fshat për vite me radhë të jetë një ndër destinacionet më të mira të fundjavës.
Familjarët janë frekuentuesit më të rregullt të Pezës. Ata gjejnë këtu vendin ideal ku fëmijët e tyre mund të jenë të lirshëm.
“Kam ardhur disa herë dhe zakonisht vij për fundjavë dhe është shumë bukur”, thotë një zonjë.
“Është një destinacion shumë i mirë për ne familjarët. Nuk është hera e parë që vij këtu”, tha një tjetër familjar.
Po ashtu edhe grupe të rinjsh kanë zgjedhur Pezën për piknik dhe barbecue.
“Arseja pse kemi përzgjedhur Pezën është natyra e qetë. Kemi ardhur disa herë dhe mendojmë që ta frekuentojmë sërish”, tha një i ri.
“Këtu mund të kalohet një piknik shumë i mirë me miqtë dhe është hera e parë që vij këtu. Do të vij sërish”, tha një vajzë e re.
Peza nuk frekuentohet vetëm nga familjarë. Pjesë e vizitave këtu, janë edhe ekskursionet shkollore, për të mësuar më shumë mbi konferencë e Pezës. Nxënësve dhe studentët u ofrohet mundësia të vizitojnë edhe shtëpinë e Myslym Pezës, një ndër figurat patriotike dhe organizator i konferencës së Pezës në vitin 1942.
Top Channel