Duke prezantuar kandidatin e Partisë Socialiste në Finiq, Kryeministri Edi Rama, dha premtimin për të shkurtuar në 30 minuta rrugën nga Saranda në Athinë, duke ndërtuar aeroportin e Sarandës.
“Një projekt që nuk është i bashkisë që nuk duhet fajësuar bashkia ,por unë, është të shkurtojmë rrugën nga Athina në gjysmë ore, është të bejmë aeroportin këtu. Do të ndërtojmë aeroport në Finiq, aeroporti i jugut të Shqipërisë, aeroporti i famshëm i Sarandës, ka ardhur koha. Ne e kemi filluar punën për të identifikuar burimet dhe forcat që do të fillojnë ndërtimin e aeroportit”, tha ai.
Por kreu i qeverisë nuk dha një datë, dhe këtë e shpjegoi me shembullin e aeroportit të Vlorës.
“E mësova me aeroportin e Vlorës, mos jep data kur të gjitha punët nuk i ke në dorë vetë, por i ke me partnerë. Nuk dua të jap data dhe afate, por po them që pa asnjë diskutim që për katër vite këtu aeroporti do të ketë nisur nga puna, kantier real. Besoj që ka ardhur koha që t’ia japim këtë gjë jugut sepse turizmi po zhvillohet dhe kjo zonë ka nevojë për këtë pikë ulje dhe dalje që i mungon”, tha kryeministri.
Rama u shpreh i bindur, se 30 qershori, dita kur mbahen zgjedhjet lokale, do të jetë një ditë normale.
“Jam i bindur se 30 qershori do të jetë një ditë normale edhe sikur të ketë shfaqeje spordaktike edhe sikur te ketë orvatje , ato do të jenë të pafuqishme për ta shndërruar 30 qershorin nga një ditë kur do të flas populli, në një ditë kur pakica do t’i imponohet shumicës”.
Top Channel