Ashtu siç parashikohej, përpara se kryeministri Edi Rama të shkonte në mitingun elektoral të Shkodrës, situata u tensionua dhe u shoqërua gjatë gjithë mitingut me momente dhune. Protestuesit e opozitës u përleshen në disa raste me forca të policisë për të çarë rrethimin e tyre.

Policia përdori gaz lotsjellës si edhe sprajt me lëndë djegëse duke i zbrapsur në jo pak raste ku disa prej protestueseve u lënduan. Nga ana e tyre protestuesit hodhën sende të forta dhe gurë ndaj tyre duke lënduar disa prej uniformave blu.

Situata arriti kulmin ku një prej protestuesve tentoi të rrëmbente ambulancën dhe të çante kordonin e policisë me këtë mjet. Fatmirësisht u neutraliza menjëherë nga policia.

Ndërkohë Partia Demokratike në reagimin e saj tha se banditet me uniformë dhe skafandra të Edi Ramës, sulmojnë me gaz ambulancën me të lënduar nga gazi. Pamjet e paprecedenta, kur policia sillet si bandë dhe nuk i hap rrugë ambulancës në urgjencë mjekësore, përkundrazi, sulmon me gaz qytetarët rreth saj, janë të denja për regjime diktatoriale.

“Sot, Edi Rama ka hyrë në Shkodër si pushtues, jo si kryeminister, as si përfaqësues i një alternative demokratike!”, tha PD.

Ndërkohë Voltana Ademi kryetarja aktuale e Bashkisë së Shkodrës e cila udhëhiqte turmën e protestuesve deklaroi se qytetarët janë në mbrojtje të lirisë së tyre.

Top Channel