Kryebashkiaku në Kukës nuk dha leje të festohet titulli i Kupës

21/06/2019 19:53

Rrallë herë politika ka kontribuar për të mirën e sportit, por janë të shumta rastet kur ka përfituar apo ka prishur eventet e tij.

Kështu ndodhi edhe ditën e premte në Kukës, ku skuadra verilindore në këtë sezon fituese e Kupës së Shqipërisë dhe nënkampione e vendit, kishte planifikuar festën me tifozët e saj.

Kjo edhe për faktin që të gjithë kampionatin e kish luajtur në trasnferta të ndryshme pasi stadiumi i tyre është jashtë çdo standarti. Por kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, ka refuzuar kërkesën e klubit të qytetit të tij për të zhvilluar festën e fitimit të kupës, që ka si president rivalin e tij politik, për zgjedhjet lokale Safet Gjici.

“Bashkia s’na dha leje edhe pse ne kërkuam, dhe kjo s’kishte të bënte me politikë pasi tifozët nuk janë as të majtë as të djathë janë tifoz sporti”, është shprehur Safet Gjici.

Ndërkohë që edhe fillimi i punimeve të stadiumit “Zeqir Ymeri” nuk kanë filluar, pavarësisht se projekti dhe gjithçka ka përfunduar dhe fondet janë gati.
“Firma zbatuese erdhi por u pengua nga policia bashkiake. Kjo është punë inati se stadiumin nuk do ta marr unë në shtëpinë time”, ka shtuar Safet Gjici.

Megjithatë kur ka kaluar mesi i muajit qershor, ka skaduar edhe premtimi i kryeministrit për afatin 100 ditor sa i përket miratimit përfundimtar të ligjit të sportit.

“Besoj që shumë shpejt do të miratohet ligji dhe do të përfitojnë edhe njerëzit që investojnë në sport, se deri tani skemi pas asnjë mbështetje nga qeveria e nga askush”, ka përfunduar fjalën e tij Gjici.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA