Kostandina Boboli është 8 vjeçe dhe është regjisorja e një shfaqjeje me kukulla që e ka shkruar vetë. Shfaqja do të vihet në skenën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Gjirokastër gjatë ditëve të kampit veror.

Kostandina thotë se ishte e vështirë të zgjidhte aktorët e të ndante rolet por pranon se ky aktivitet e zbavit shumë.

“Personazhet mi dha vetë qendra dhe më tha që të krijoj një histori me këto personazhe. Meqë ata nuk kishin asnjë lidhje, mendova që të krijoj një histori”, tha vogëlushja.

Kampi veror i fëmijëve është në vitin e gjashtë të organizimit dhe 170 fëmijë e frekuentojnë atë çdo ditë për të luajtur, për të mësuar për tu zbavitur e shoqërizuar.

“Kam zgjedhur të vij në kamp sepse më pëlqen që të luaj këtu, të kërcej dhe të rri me shoqet”, tha Klaudia Jupi pjesëmarrëse e kampit.

Drejtuesja e qendrës Esmeralda Janora tha se fëmijët vijnë edhe nga rrethinat dhe aktivitetet përshtaten edhe sipas aftësive të tyre. Kampi përveç aktivitetit në natyrë organizon orë shahu, pikture, aktrimi, sporti.

“Pjesë e programit të kampit janë edhe rrethet e qendrës kulture”, tha Esmeralda Janora Drejtore e Qendrës.

Për të zbavitur dhe udhëhequr fëmijët gjatë kësaj jave në Gjirokastër gjenden punonjës socialë dhe animatorë të qendrës ARSIS. Ardit Reka animator thotë se aktivitetet janë të përshtatura edhe fëmijë me aftësi ndryshe.

“Ne qëndrojmë rreth 5 javë animatorë. Qëllimi është zhvillimi psiko-motorik i fëmijëve dhe argëtimi i tyre”, tha Ardit Reka.

Kampi veror është duke i dhënë një atmosferë gazmore gjithë pjesës historike të Gjirokastrës por edhe po zbulon talente të reja mes tyre.

Top Channel