Liria e shtypit në Shqipëri është duke u përkeqësuar. Ky është përfundimi i një misioni ndërkombëtar vëzhguesish i përbërë nga përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së medias dhe gazetarëve.

“Delegacioni gjeti se liria e shtypit ne Shqipëri është në përkeqësim. Sulmet fizike te kohëve të fundit kundër gazetareve kanë mbetur të pazgjidhura”, është shprehur Flutura Kusari, nga Qendra Europiane për Liri te Shtypit dhe të Medias.

Delegacioni shprehu shqetësime se Shqipëria nuk është duke zbatuar detyrimet e saj për të garantuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes dhe atë të shtypit.

“Ne jemi të shqetësuar se Shqipëria, një demokraci , një shtet anëtar i Këshillit të Europës, dhe organizatës për siguri dhe bashkëpunim në Europë dhe një vend kandidat nuk po respekton detyrimet e saj për të garantuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit”, ka shtuar Flutura Kusari.

Shqetësim mbetet edhe gjuha e përdorur nga politikanët drejt mediave dhe gazetarëve.

“Gjatë takimeve me gazetarët delegacioni u informua se kryeministri Rama në mënyrë konstante u referohet atyre si kazan. Në mënyrë të ngjashme, udhëheqësi i opozitës Lulzim Basha i referohet medias si të kapur dhe të blerë. Një gjuhë e tillë denigron gazetarët dhe i bën ata të duken shënjestër e ligjshme për agresion në sytë e publikuar duke rritur rrezikun e kërcënimit dhe dhunës ndaj tyre”, është shprehur më tutje Kusari.

Edhe pse ligji për të drejtën e informimit shihet si shumë i mirë, sipas gjetjeve të këtij delegacioni, transparenca mbetet një problem me autoritetet shtetërore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA