Gjatë interpelancës të thirrur nga deputeti Artur Roshi, në seancën plenare të Kuvendit, i cili i kërkoi shpjegime në lidhje me projektin e rrugës Tiranë-Durrës, ministrja theksoi se “të gjitha rrugët në Shqipëri të cilat janë parashikuar për t’u futur në kategorinë me pagesë, duhet më parë që të sigurohet një rrugë alternative”.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku u shpreh sot se “për rrugën Tiranë-Durrës, nuk do të këtë pagesë në muajin shtator. Ky projekt është në studim e sipër dhe ende nuk është marrë një vendim për ta bërë këtë aks kundrejt pagesës”.
Balluku ritheksoi se “ky studim është në duar të ekspertëve dhe kur unë të kem këtë dosje do t’ju përgjigjem kur dhe si duhet të jetë e përshkallëzuar pagesa për secilën dalje. Ky projekt nuk është në fazën për të kaluar në këto detaje. Të gjitha rrugët që në të ardhmen do të kenë atë që ju e quani ‘tra’, ka kuptim të aplikohet sepse ka të bëjë me mirëmbajtjen. Të gjitha ato projekte që do të kenë ‘tra’ por do të kenë edhe një rrugë alternative. Nëse do të bëhet ky projekt, duhet të këtë një rrugë alternative dhe për rrugën Tiranë-Durrës, rruga alternative do të jetë rruga Tiranë-Plepa”.
“Programi kombëtar i qeverisë për infrastrukturën është një program ambicioz, që synon për të përmirësuar standardet. Segmente e reja janë të kushtueshme ndaj alternativa e koncesioneve është investim që paguhet nga privati dhe që shlyhet në kohë më të gjatë nga shteti”,- tha Balluku.
Prioriteti ynë theksoi ajo është, ndërtimi i infrastrukturës rrugore me standarde dhe në këtë kuadër po zbatojmë edhe projektin e mirëmbajtjes së segmenteve rrugore.
Top Channel