Ministri i Inovacionit dhe sipërmarrjes në qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj, dha dorëheqjen nga posti, lëvizje kjo që pasoi vendimin e kryetarit të PDK-se, Kadri Veseli, pjesë e së cilës është edhe Beqaj, për të liruar postet në institucionet e vendit nga të gjithë zyrtarët me aktakuza të ngritura për korrupsion.
Beqaj, që është zyrtar i lartë në Partinë Demokratike, së bashku me zëvendës Ministrin e Mbrojtjes, Agim Çeku dhe këshilltarin e Kadri Veselit, Njazi Kryeziu, janë pjesë e një procesi gjyqësor në një rast përgjimesh, që u bë i njohur si rasti “Pronto” për shkak të përdorimit të kësaj fjale gjatë bisedave të përgjuara.Në një konferencë për shtyp, tashmë ish ministri tha se ka vendosur të respektojë vendimin e partisë, por i hodhi poshtë akuzat kundër tij.
“Jam i bindur që këto aktakuza janë të pabazuara në fakte dhe argumente ligjore dhe se drejtësia do të vërtetojë këtë. Unë besoj që drejtësia do ta vërtetojë pafajësinë time. Aktakuza që unë përballem ka një mal të metash që në fillim është aplikuar si një drejtësi selektive. Gjatë angazhimit tim politik jam udhëhequr nga dy ndarje themelore zbatimi i ligjit dhe profesionalizimi”, është shprehur Beqaj.
Vendimi i Partisë Demokratike për të larguar zyrtarët e saj me aktakuza është mirëpritur nga shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila shkroi në rrjetet sociale se pret që “ky standard të zbatohet në të gjithë spektrin politik dhe nga të gjitha partitë në Kosovë”.
Top Channel