Brenda mandatit të dytë të kryetarit të bashkisë do të ndërtohet Kampusi Univeristar. Për këtë ka siguruar kryeministri Rama, teksa inspektoi bashkë me Veliajn rikonstruksionin e plotë të godinës nr 6 në Qytet Studenti
“Ideja është të përfundojmë gjitha rikonstruksionet e godinave ekzistuese, ndërkohë që po përgatitet, mes Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë, projekti i Kampusit. Siç e kemi thënë, në mandatin e dytë të Lalit do të ndërtohet Kampusi. Ata që janë në vit të parë ose do të vijnë në vit të parë, do ta shikojnë këtë transformim. Ky do të jetë një katërvjeçar historik për arsimin e lartë, pas tre vitesh do të jemi në një situatë komplet tjetër. Do të kemi standard në infrastrukturë, laboratorë, totalisht ndryshe”, tha shefi i qeverisë.
Rama foli edhe për situatën në vend që sipas tij nuk do të mund të pengojnë asnjë projekt të qeverise së tij.
“ Plus që nuk është se e kemi rrugën të hapur sepse kemi këta xhagajdurët e dalë nga filxhani dhe bëjnë këtë xhindin nëpër rrugë, por gjërat do shkojnë në vendin e tyre dhe duhet durim. Kjo është ajo që duhet se është një mall që nuk gjendet në Shqipëri, megjithatë duhet bërë çmos që ta gjejmë dhe të pajisemi me pak durim. Edhe ky konvikt është një shembull i asaj që thashë, një shembull pozitiv si do bëhen të tjerat. Pasqyrën se si mund të jetë e ardhmja e kemi përpara dhe mund ta shohim. Të ardhmen do ta bëjmë si pasqyra”, shtoi Kryeministri.
Kryetari i bashkisë Erion Veliaj tha se rikonstruksioni i godinave dhe shpërndarja kartave ta studentit po ecën me ritme të shpejta.
“ Nga 40 konvikte është ndërhyrë në mbi 30. Kemi edhe 3, plus 7-8 që do t’i bëjë . Në një farë mënyre, të gjitha konviktet janë të zëna, por këtu ka ecur më shpejt sepse filluam më shpejt. Kemi mbaruar konviktet te inxhinieria, kemi mbaruar dy te Mjekësia, kemi edhe një te ‘Qyteti Studenti’, pastaj nisim te Universiteti Bujqësor”, tha Veliaj.
Kryeministri Rama vlerësoi atë që është bërë nga bashkia e Tiranës për studentet ndërkohe që u shpreh se kjo eksperiencë duhet të shtrihet edhe në bashkite e tjera universitare.
Top Channel