Përplasjet dhe vënia e flakëve të disa, KZAZVE me qëllimin final pengimin e zhvillimit të zgjedhjeve më 30 Qershor, Sandër Lleshaj ministër i punëve të Brendshme e komentoi si një shfaqje brutale e dëshpërimit politik të kthyer në veprimtari të paligjshme e në akte kriminale, që do të ndëshkohen me të gjithë forcën e ligjit.

“Skenat e djeshme dhe të sotme, të sulmeve barbare mbi shkollat, ku janë vendosur Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe angazhimi i punonjësve të Bashkive ‘blu’, për të djegur dhe shkatërruar materialet zgjedhore, janë shfaqje domethënëse e përfshirjes së opozitës jashtë-parlamentare në një spirale të rrezikshme jo vetëm të vetë shkatërrimit, por edhe të dëmtimit të interesit publik.”, tha ai.

Policia e Shtetit, thotë ministri Lleshaj që është garancia ligjore e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, e cila po provokohet dhe po sulmohet në mënyrë të organizuar. Organizatorëve dhe mbështetësve të këtyre veprimeve, e sidomos policive bashkiake, Sandër Lleshaj u kujtoi se janë krime elektorale.

“Qeveria do të marrë masa të menjëhershme, që në pajtim me ligjin, të shkrijë disa struktura të Policive Bashkiake që kanë dalë haptazi jashtë misionit të tyre dhe janë shndërruar faktikisht në një rrezik publik. Askush nuk do të tolerohet!Ndoshta kjo mund të jetë pak, por dhe shumë e sigurt”, tha ai.

Policia e Shtetit theksoi ministri Lleshaj nuk do të çedojë asnjë milimetër nga përgjegjësia e saj për mbrojtjen dhe garantimin e ligjit.

“Ky është një moment kritik në betejën e ligjit me anti-ligjin, shtetit me anti-shtetin, shoqërisë me grupet paramilitare të një politike që zhvillohet në shtratin e paligjshmërisë. Në ketë moment, ligji, shteti, shoqëria dhe kushdo që i përfaqëson ato, si autoritet, si zyrtar apo si qytetar, duhet të jenë bashkë.”, u shpreh Lleshaj.

Top Channel