Bashkitë thirrje për lirimin e ambienteve, KZAZ-të në Gjirokastër dhe Berat kërkojnë mbrojtje nga policia

19/06/2019 10:35

Bashkia e Gjirokastrës ka kërkuar sot lirimin e godinës që po përdoret nga KZAZ për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të shfuqizuara me një dekret të dytë nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Por kreu i KZAZ-së, Roland Skendi, në një prononcim për Top Channel, e konsideron të çuditshëm këtë njoftim të bashkisë dhe thotë se ka kërkuar mbrojtje nga komisariati i Gjirokastrës.

“Çuditërisht sot ka ardhur ky njoftim, nuk e di, ndoshta kanë patur njoftim nga qendra për këtë punë dhe nuk mendoj se do të ketë përplasje. Megjithatë, ne i jemi drejtuar komisariatit të Gjirokastrës për të garantuar këtë objekt që është objekt i rëndësisë së veçantë”, shprehet Skendi.

Aktualisht nuk është regjistruar asnjë incident në këtë KZAZ, por ka vetëm forca të shtuara policie.

Edhe në Berat është kërkuar mbrojtje nga policia pas kërkesës së bashkisë për të liruar ambientet nga KZAZ. Edhe në këtë qytet nuk raportohet për incidente.

Në Selenicë ka gjithashtu forca të shtuara policie pranë shkollës së mesme, ku janë vendosur materialet e KZAZ-së.

Bashkitë e Beratit dhe Gjirokastrës drejtohen nga Petrit Sinaj dhe Zamira Rami, të dy kryebashkiakë të LSI-së, ndërsa ajo e Selenicës nga Përparim Shametaj i PD-së.

  Tensione edhe në Kavajë, bashkia dhe protestuesit i vendosin afat Policisë së Shtetit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA