Kurora e gjelbër e qytetit bregdetar vijon të shkatërrohet nga prerja e pemëve që i lënë vend ndërtimit të godinave të larta në një nga zonat më të bukura të Durrësit.

Me një leje të dhënë nga Bashkia e Durrësit në gusht të vitit të kaluar, firma e ndërtimit ka nisur prerjen e pemëve në Kodër Vilë për të hapur sheshin ku do të ndërtohet një kompleks rezidencial banimi e shërbimesh me katër pallate 5-katëshe dhe një kat nëntokë për parkim.

“Kodra ka një pjerrësi 45 gradë dhe është shumë e rrezikshme për t’u ndërtuar. Bashkia na ka kthyer përgjigje që aty nuk ka ndërtim”, tha një banore.

“Kemi një problem të jashtëzakonshëm se do të bëhen gjashtë pallate. Domethënë, bëj këtë e shemb atë’, ankohet një e moshuar.

“Projekti që është miratuar nuk përputhet me terrenin.  Nuk përputhet me kushtet tekniko-ligjore që ka një dosje për leje-ndërtim”, argumenton një tjetër banore e shqetësuar.

“Ç’ka shikoni këtu është shembulli tipik i makutërisë pa limit, e cila rrezikon jo më vetëm kurorën e gjelbëruar të Durrësit por përtej kësaj, rrezikon edhe jetën e shumë e shumë banorëve”, tha një banor.

Shqetësimi i banorëve ka rënë në vesh të shurdhët. Bashkia e Durrësit deklaron se dhënia e lejes së ndërtimit për këto godina është bërë sipas rregullave dhe ligjeve, bazuar mbi akt-vlerësimet e ekspertëve të ndryshëm.

“Ne kemi një plan vendor  të ish-territorit të Bashkisë Durrës që atë kemi në fuqi. Për sa i përket territorit të ri, marrim në konsideratë  legjislacionin kombëtar, por specifike për Bashkinë Durrës kemi një studim të miratuar, plan të përgjithshëm vendor të vitit 2013”, tha Adhurim Qehajaj, Drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, Bashkia Durrës.

Sipas banorëve, beteja e tyre ligjore për mbrojtjen e kodrës do të vazhdojë, ndërsa Kodër Vila, një nga simbolet e qytetit, ashtu si dhe bregdeti i tij janë kthyer në dëshmi të masakrës urbane të dekadave të fundit në Durrës.

Top Channel