Edhe pse sezoni turistik ka filluar, në zonën e Shkëmbit të Kavajës vazhdojnë punimet për rikualifikimin e hapësirave publike.
Ky investim i qeverisë shqiptare me vlerë 273 milion lekë duhej të kishte përfunduar në maj, po vonesat në nxjerrjen e lejes së ndërtimit nga bashkia e Durrësit dhe rishikimi i projektit për sistemimin e kanalit të ujërave të larta sollën shtyrje te afatit për mbarimin e investimit, që po i ndryshon pamjen zonës, duke përmirësuar infrastrukturën dhe të pushuarit në këtë plazh.
Aktualisht, punimet janë përqëndruar në sistemimin e kanalit që vjen nga përtej rrugës e derdhet në det. Ndër vite, ky kanal, i njohur dhe si Përroi i Durrësit, u shndërrua në në burim të lartë ndotjeje për mjedisin dhe pushuesit të cilët nisën të braktisin zonën përreth tij.
Rreth 80% e investimit, që përfshin rikonstruksionin e plotë të rrugëve të brendshme, ndërtimin e kanalizimeve dhe shëtitores bregdetare, ndriçimin e gjelbërimin e zonës, ka përfunduar, ndërsa i gjithë projekti pritet të përfundojë në muajin gusht, në pikun e sezonit turistik.
Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që po zbaton projektin, janë marrë masat që punimet të mos bëhen pengesë për banorët dhe turistët dhe të mos ndikojnë negativisht në këtë sezon, po pamjet tregojnë një tjetër situatë.
Pushuesit përballen me pirgjet e gurëve, inerteve dhe mbetjeve buzë rrugës, si dhe kanalin që vijon të derdhë në det ujërat e papërpunuara urbane.
Top Channel