Nuk është hera e parë që Lulzim Basha e refuzon prokurorinë, pavarësisht deklaratave të tij ku deklarohet i gatshëm për të dale para prokurorëve.
Ai hapi precedentin për të luajtur me akuzën dhe ja doli mbanë me dy ish prokurorë të përgjithshëm, së pari me ish prokurorin e përgjithshëm Theodhori Sollaku e më pas edhe me Ina Ramën.
Loja e ish ministrit të transporteve nisi gjatë hetimeve të regjistruara në prokurorinë e kryeqytetit për abuzimet me rrugën Durrës-Kukës, e njohur si dosja e Kalimashit .
Në dobi të hetimeve që ishin regjistruar ndaj ish drejtorit të rrugëve dhe ish zëvendës ministrit të transporteve, rezulton se prokurori i kryeqytetit Ervin Karanxha i ka dërguar dy fletë thirrje për ta pyetur Lulzim Bashën gjatë vitit 2007.
Njëra ftesë mban datën 29 maj dhe tjetra 11 qershor . Por këto ftesa u kthyen nga Basha pikërisht në kohën kur ndërkohë publikisht ai deklarohej pro çdo veprimi të prokurorisë.
“Nuk më kanë thirrur në prokurori, jam i gatshëm të ballafaqohem”, është shprehur Lulzim Basha.
Përse prokurori pati dyshime se në këtë çështje Lulzim Basha ishte i implikuar, çështja e Kalimashit u përcoll në prokurorinë e përgjithshme pasi akuza e kryeqytetit nuk është kompetente për të hetuar një person me imunitet.
Disa muaj më vonë Lulzim Basha refuzoi edhe ftesën e prokurorisë së përgjithshme, madje në një rast ai reagoi me një letër publike drejtuar prokurorit Theodhori Sollaku në të cilën kërkonte ballafaqim se përse nuk ishte ftuar për tu pyetur.
Por kur çështja përfundoi në këshillin e mandateve dhe kur prokuroria ashpërsoi qëndrim duke e akuzuar për shpërdorim detyre , Lulzim Basha i etiketoi prokurorët si armiqtë e rrugës.
Në fund të vitit 2008 Lulzim Basha ishte i pakapshëm edhe për prokurorinë e përgjithshme. Ndërsa ish ministri i transporteve ju drejtua gjykatës duke kërkuar pavlefshmëri të fletë thirrjeve, prokurori Arben Kraja gjeti një zgjidhje duke ja dërguar me postë kopjen e komunikimit të akuzës njërën në ministrinë e jashtme dhe tjetrën në shtëpi.
Në datën pesë dhjetor 2008 emri i Lulzim Bashës u dërgua për gjykim në gjykatën e lartë për shpërdorim dhe abuzim me tenderat që kishin shkaktuar dëmin ekonomik të 115 milionë eurove.
Por ndërkohë dy gjykata kishin shpallur të pavlefshme fletë thirrjet e prokurorisë dhe të çdo akti tjetër hetimor të kryer pas datës gjashtë nëntor.
Diçka e tillë që u konsiderua një lojë proceduriale nga ana e Lulzim Bashës dhe të pandehurve të tjerë e mbylli gjykimin ndaj tij pa nisur.
Kolegji penal e pushoi dosjen pasi i konsideroi të pavlefshme të gjitha veprimet e prokurorisë që nga marrja të pandehurve, komunikimi i akuzës dhe fletë thirrjes apo edhe dërgimin në gjykatë.
Arma me të cilën avokatët siguruan mbrojtje por që sidoqoftë nuk ishte një pafajësi për Bashën ishte pikërisht përfitimi nga afati shtesë që morën prokurorët.
Kolegji penal e bazoi gjithë vendimin në të drejtën për tu njohur me aktet në mënyre që atij ti jepej kohë për tu mbrojtur.
Top Channel