Thellohet lufta politike mes mazhorancës qeverisëse dhe presidentin e republikës Ilir Meta. Shtatë ditë nga firmosja e çdekretimit të zgjedhjeve, me 55 firma socialistët startuan procedurat e shkarkimit të presidentit Meta të cilin në prillin e 2017-tës me 87 vota e çuan në pallatin presidencial.

Kërkesa me firmat e socialisteve u paraqit ne kuvend. Kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla, iu deshën 40 minuta për të lexuar ato çfarë socialistët i cilësojnë si shkelje të kushtetutës nga presidenti dhe mohim i të drejtës së sovranit për të votuar.

“Anulimi i datës 30 qershor si datë e mbajtjes së zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor dhe më e rëndë akoma, moscaktimi i një date tjetër për mbajtjen e tyre, mohon në thelb të drejtën e sovranit për të qenë i tillë”, tha Balla.

Me cdekretimin e datës së zgjedhjeve, socialistët ngrenë pretendimin se presidenti me ka zgjatur mandatin e organeve të njësive të qeverisjes vendore, ky një atribut jo i tij.

“Kjo praktikë vjen në kundërshtim me parimin kushtetues të periodicitetit të zgjedhjeve (shiko pikat 16, 17, 18), dhe praktikisht zgjat mandatin e organeve të zgjedhura”, tha Balla.

Një tjetër shkelje e pretenduar nga socialistët është se Presidenti ka përcaktuar një datë zgjedhjesh tej datës së përcaktuar me ligj.

Pas shpalosjes së argumenteve juridike,Taulant Balla tha se presidenti ka konsumuar 9 shkelje të kushtetutës e në tilla kushte ai duhet të shkarkohet.

“Për sa kohë është ende President, zoti Ilir Meta duhet të mos na turpërojë të gjithëve, duke e ulur nivelin e presidencës së tij nën kufirin minimal të etikës shtetërore, sa herë hap gojën”, u shpreh ai.

Shkarkimi i Metës, Xhafaj dhe Majko s’firmosën; Presidenti merr përgjigje nga KQZ

Për shkarkimin e Ilir Metës kanë hedhur firmat disa prej senatorëve të PS dhe ish bashkëpunëtor të tij të ngushtë në detyrat që ka mbajtur si ,zëvendës kryeministri Erion Braçe, ish-kryeministri Bashkim Fino, Spartak Braho, Musa Ulqini, Blendi Klosi, Besnik Baraj ndërsa firma e 55-të i përket Ditmir Bushatit.

Nuk e hodhën firmën për shkarkim ish kryeministri Pandeli Majdo dhe Fatmir Xhafaj. Në këtë luftë politike me të tilla përmasa ku për herë të parë kërkohet shkarkimi presidentit të vendit duket se Ilir Meta nuk do të bëj spektatorin e të mbaj mbi vete titullin si president nën hetim nga parlamenti.

Hapin e parë e hodhi të premtet kur kërkoi informacion nga KQZ për numrin e deputetëve present në kuvend dhe përgjigja i mbërriti paraditen e të Hënës. Por a do ta përdorë presidenti nenin e kushtetutës që thotë se Parlamenti duhet të ketë 140 deputetë në një kohë ku ka 12 për ta shpërndarë atë? Topi është në fushën e presidentit.

Top Channel