Në një intervistë të dhënë për Al Jazeera, Presidenti Ilir Meta, shprehet se në 30 qershor, nuk do të ketë zgjedhje.

“Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe të gjithë kanë detyrimin ta zbatojnë atë”, tha ai.

I pyetur nëse ka shkelur Kushtetutën dhe për mocionin e Largimit nga zyra, të votuar në Parlament, Kreu i Shtetit Shprehet:

“Unë kam qenë deputet i Parlamentit për 25 vite me radhë dhe e di shumë mirë se si funksionon ky institucion. Unë jam zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës nga një parlament plotësisht legjitim dhe jo nga ky që kemi aktualisht.

Por që nga momenti qëu zgjodha dhe u betova mbi Kushtetutën e Shqipërisë si President i Republikës unë i përkas Republikës dhe Republika u përket qytetarëve”, tha ai.

Por a shpreson Presidenti Meta në një marrëveshje për zgjidhjen e krizës?

“Unë shpresoj që zoti Rama të vijë këtu së bashku me udhëheqësit e tjerë për të bërë një marrëveshje që do ta ndihmonte vendin jo vetëm për të shmangur këtë klimë përçarëse, por edhe do të ndihmonte vendin t’i demonstronte Bashkimit Europian dhe të gjithëpartnerëve të tjerë maturinë e duhur dhe se ne jemi një vend që i kemi përmirësuar standardet demokratike dhe jo që i kemi përkeqësuar atë”, thotë ai më tej.

I pyetur nëse kryeministri Rama gëzon mbështetjen dhe besimin e Presidentit si kreu i Qeverisë, Meta shprehet se kësaj pyetje i është përgjigjur kur e ka dekretuar Kryeministër të Shqipërisë.

Intervista e plotë

Gazetari (John T. Psaropoulos): Situata aktuale në Shqipëri përcaktohet si një “krizë kushtetuese”. Kushtetuta e përcakton Shqipërinë një “republikë parlamentare”, që do të thotë se ju jeni zgjedhur nga Parlamenti dhe jeni në këtë detyrë për sa kohë gëzoni besimin e Parlamentit.

Parlamenti ka fuqinë t’ju largojë nga kjo detyrë dhe t’ju zëvendësojë nëse ka numrin e mjaftueshëm të votave në rast se Gjykata Kushtetuese e cilëson të drejtë vendimin e Parlamentit. Por mund ta bëjë këtë vetëm në rast se keni ndërmarrë një akt të rëndë në shkelje të Kushtetutës sipas Parlamentit. A mendoni se e keni shkelur Kushtetutën dhe a mendoni se Parlamenti e ka ndërmarrë një proces për t’ju zëvendësuar? A është kjo ajo që pamë me rezolutën e miratuar nga Parlamenti?

Presidenti Meta: Unë kam qenë deputet i Parlamentit për 25 vite me radhë dhe e di shumë mirë se si funksionon ky institucion. Unë jam zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës nga një parlament plotësisht legjitim dhe jo nga ky që kemi aktualisht.
Por që nga momenti që u zgjodha dhe u betova mbi Kushtetutën e Shqipërisë si President i Republikës unë i përkas Republikës dhe Republika u përket qytetarëve.

Në këtë aspekt, dua t’i siguroj të gjithë se dekreti im për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore është një vendim kushtetues shumë solid, i bazuar mbi përgjegjësitë e mia kushtetuese si President i Republikës.

Ky vendim i shërben paqes sociale, stabilitetit, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm e të pakontrolluar të situatës, që mund të çojë në një përplasje civile në vend ashtu siç edhe ju e keni parë gjatë zhvillimeve të muajit të fundit, sepse zgjedhjet pa opozitën, jo vetëm minojnë stabilitetin e vendit, por gjithashtu çdo shans pozitiv që Shqipëria të bëjë hapa përpara në procesin e çeljes së negociatave me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur.

Gazetari: Por a mendoni se Parlamenti po përpiqet t’ju zëvendësojë apo është thjesht një akt politik teatral dhe Kryeministri Edi Rama ju ka sanksionuar publikisht përmes ligjvënësve për të treguar se është sfidues dhe se ai mbetet i vendosur për të mbajtur zgjedhje. A ka nisur tashmë një proces kushtetues?

Presidenti Meta: Dua t’ju siguroj se nuk dua ta përdor këtë intervistë për të folur rreth Parlamentit dhe përgjegjësive të këtij institucioni, por është shumë e qartë sa i përket Kushtetutës së Shqipërisë se në cilat raste Parlamenti mund të shkarkojë Presidentin. Është shumë e qartë për rastet kur Presidenti bën një shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës, që gjithashtu duhet të përcaktohet qartë më pas nga Gjykata Kushtetuese.

Pra, duhet t’jua bëj me dije se nuk është kryer asnjë shkelje e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës dhe dua gjithashtu t’ju siguroj gjithashtu se rendi kushtetues i Shqipërisë është i bazuar mbi pluralizmin politik dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

Dhe ajo që ka bërë Presidenti ekzaktësisht është që të tregojë përkushtimn e tij për të mbrojtur pluralizmin politik në vend, si edhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, sepse Shqipëria ka pasur për 45 vjet votime gjatë regjimit komunist, por të gjithë e dinë se ka një ndryshim të madh mes zgjedhjeve dhe votimeve.

Gazetari: Siç e dini, muajin e kaluar miliona qytetarë të Europës iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur anëtarët e rinj të Parlamentit Europian. Shqipëria po shfaq probleme sa i përket vendimit se kur të zgjedhë 61 kryebashkiakë. A është Shqipëria gati për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian?

Presidenti Meta: Shqiptarët, qytetarët e këtij vendi, kanë qenë gati, edhe më parë, për të qenë pjesë e BE-së, por në orët dhe ditët në vazhdim udhëheqja politike e vendit do të testohet nëse ka maturinë e duhur, për të mos qenë pengesë e kësaj aspirate të qytetarëve shqiptarë.

Më shumë se 95% e shqiptarëve mezi presin që vendi të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, dhe me vendimin tim kam dashur t’u jap kohë këtyre udhëheqësve që të reflektojnë, të qetësohen dhe të krijojnë kushtet për një dialog të arsyeshëm, që të tregojnë pjekuri, para së gjithash kundrejt qytetarëve tanë, por edhe ndaj BE-së, të provojnë se ky vend është gati të bëjë një hap tjetër përpara.

Gazetari: Duke u kthyer te çështja kushtetuese, argumentet kundër Jush të shprehura nga qeveria theksojnë se Ju nuk keni të drejtë të anuloni datën e zgjedhjeve…

Presidenti Meta: Nuk jam duke folur për spekulime politike. Unë ju sigurova se ky është një vendim kushtetues solid. I vetmi autoritet suprem që mund të shqyrtojë këtë dekret është Gjykata Kushtetuese, por ajo për të cilën dëshiroj t’ju siguroj është se ky diskutim dhe ky debat është humbje kohe, pasi ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe duke iu referuar kuadrit kushtetues dhe ligjor, nga çasti i publikimit është detyrim i çdo institucioni, qoftë në pushtetin qendror apo vendor, ta zbatojnë këtë dekret.

Gazetari: Ne rregull, por duke folur politikisht, Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka ndërmend të ulet në dialog me opozitën për të gjetur një datë konsensuale për zgjedhjet dhe se opozita kishte mundësi të regjistrohej në proces zgjedhor, por vendosi të mos merrte pjesë në zgjedhje. Gjithashtu, ai thotë se i qëndron vendimit të mëparshëm për datën e zgjedhjeve. Si mund të gjendet në zgjidhje në këtë situatë? A do ta njihni rezultatin e zgjedhjeve vendore nëse do të mbahen?

Presidenti Meta: Pasi dekreti u firmos dhe hyri në fuqi, nuk ka më datë formale dhe ligjore për zgjedhjet më 30 qershor. Sa u përket pretendimeve të Kryeministrit Rama dua t’ju bëj me dije se precedenti i shtyrjes së zgjedhjeve vendore është krijuar për herë të parë në vitin 2006 dhe 2007, kur zoti Rama ishte udhëheqës i opozitës dhe kryebashkiaku i Tiranës. Ai kërkonte që një dokument shtesë të përfshihej në këtë proces teknik me kushtin që të merrte pjesë në zgjedhje. Pikërisht atëherë patëm precedentin e parë, që më pas do të përsëritej në disa raste të tjera.

Dua të them se kjo nuk është diçka e re. Sigurisht, nuk është diçka normale, sepse kur gjithçka shkon mirë nuk ka asnjë arsye për të marrë një vendim të tillë dhe unë shpresoj se Kryeministri ynë duhet të jetë më shumë i vetëdijshëm për këtë parim qeverisës, që qeveritë kanë më tepër përgjegjësi për të gjithë vendin, jo vetëm për mbështetësit e vet apo militantët. Unë shpresoj që ato t’i marrin përsipër e t’i përmbushin këto përgjegjësi dhe të reflektojnë sa më shpejt në interesin më të mirë të vendit.

Gazetari: Por a do ta njihni rezultatin e zgjedhjeve nëse qeveria do t’i zhvillojë ato?

Presidenti Meta: Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe të gjithë kanë detyrimin ta zbatojnë atë.

Gazetari: Ka dy interpretime krejtësisht të ndryshme të Kushtetutës, për të cilat Gjykata Kushtetuese do të duhet të vendoste. Por meqë nuk ka Gjykatë Kushtetuese, sepse gjyqtarët po i nënshtrohen procesit të vetting-ut etik…

Presidenti Meta: Është vetëm një autoritet suprem që mund të gjykojë këtë dekret, që është Gjykata Kushtetuese, e që nuk është funksionale për momentin, siç e përmendet ju me të drejtë. Të gjithë e dinë se Presidenti i Republikës ka bërë çdo përpjekje prej kohësh për të shmangur një situatë të tillë, por kjo tani nuk ka më rëndësi. Tani në këto kushte ky dekret nuk mund të kontestohet nga asnjë gjykatë tjetër në vend. Dhe sigurisht, është një dekret që unë e kam firmosur para qytetarëve shqiptarë, duke marrë të gjitha përgjegjësitë për atë veprim dhe jam i sigurt se kam bërë më të mirën për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit midis qeverisë dhe opozitës, si edhe duke iu dhënë të dyja palëve mundësinë për t’u qetësuar, për të reflektuar dhe për t’u ulur sa më parë në dialog për interesin më të mirë të gjithë shqiptarëve. Veçanërisht, në këto ditë para vendimit shumë të rëndësishëm që do të merret nga qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Gazetari: Le të flasim pak për aspektin politik të brendshëm të dekretit tuaj. Siç thatë, ju keni shprehur nëpërmjet atij dekreti dëshirën për të shmangur kërcënime të sigurisë publike dhe për të shmangur kërcënime ndaj stabilitetit demokratik. U keni kërkuar të dyja palëve të ulen në tryezën e dialogut, por deri më tani Partia Socialiste nuk ka pranuar. Disa përfaqësues të partive të vogla opozitare janë takuar me ju dhe kjo duket si një shenjë e nisjes së dialogut, por nuk kemi asnjë tregues se do të përfshihet aktorët kryesorë. Qeveria e udhëhequr nga Partia Socialiste thotë se do të shkohet në zgjedhje, ndërsa opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike, e cila thotë diçka pak a shumë kriptike dhe nuk jep asnjë sinjal pajtimi, teksa lideri i opozitës zoti Basha u bëri thirrje qytetarëve të bëjnë atë që çdo qytetar europian do të ishte i detyruar të bënte kur përballet me një “grusht shteti”. Kështu e ka përkufizuar ai qeverinë e Edi Ramës. A jeni i shqetësuar për faktin se dekreti juaj duket se nuk ka efektin e dëshiruar?

Presidenti Meta: Jam shumë i vendosur për të bërë më të mirën për të krijuar kushtet e nevojshme për dialog dhe për një zgjidhje të besueshme, sepse kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e vendit dhe për bashkëjetesën demokratike të qytetarëve tanë, por kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën do të ishte një investim krejtësisht në dëm të së ardhmes europiane të vendit, që është objektivi kombëtar i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësitë e tyre politike. Gjithashtu, pas 4-5 muajve të mbushur me konfrontime dhe tensione, që ju i keni raportuar si e gjithë media botërore, zgjidhja nuk mund të gjendet brenda 2-3 ditëve.

Por unë shpresoj që zoti Rama të vijë këtu së bashku me udhëheqësit e tjerë për të bërë një marrëveshje që do ta ndihmonte vendin jo vetëm për të shmangur këtë klimë përçarëse, por edhe do të ndihmonte vendin t’i demonstronte Bashkimit Europian dhe të gjithë partnerëve të tjerë maturinë e duhur dhe se ne jemi një vend që i kemi përmirësuar standardet demokratike dhe jo që i kemi përkeqësuar ato.

Gazetari: Të flasim pak për aspektin evropian të dekretit tuaj për shtyrjen e zgjedhjeve. Ju keni deklaruar se do të mbronit kriterin kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, garantimin e funksionimit të duhur të institucioneve demokratike si edhe pjesëmarrjen më të madhe të mundshme të partive. Dhe më 9 qershor ju nxorët dekretin teksa i bëtë të qarta këto qëndrime. Më 10 qershor Kryeministri Rama shkoi në Bruksel dhe u takua me Presidentin e Komisionit Europian. Ky i fundit tha se ishte pro zhvillimit të zgjedhjeve më 30 qershor, pasi nëse nuk do të zhvilloheshin, kjo gjë mund të dëmtonte perspektivën europiane të Shqipërisë. Zoti Juncker ka një interpretim krejtësisht të ndryshëm të asaj se çfarë është në interesin më të mirë të perspektivës suaj europiane krahasuar me Ju. Si e shpjegoni këtë?

Presidenti Meta: President Juncker është gjithashtu një mik i mirë i imi dhe është demokrat i madh. Jam i sigurt se ai nuk është informuar siç duhet për faktin se zgjedhjet e 30 qershorit praktikisht, ose në thelb janë thjesht votime dhe jo zgjedhje, sepse janë zgjedhje pa opozitën. Jam i sigurt se ai nuk është plotësisht në dijeni të gjithë situatës.

Në këtë drejtim, ajo që ju thoni është korrekte, por tani nuk është më përgjegjësi e Komisionit Europian, sepse ky Komision e ka bërë tashmë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë. Tani ky vendim do të merret në nivelin më të lartë të politikës europiane dhe mesazhet janë të qarta se zgjedhjet pa opozitën nuk ndihmojnë progresin europian të Shqipërisë.

Gazetari: Gjithsesi, duket se Shqipëria nuk do të marrë dritën jeshile për çeljen e negociatave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian këtë muaj. Si mendoni se do të pritet ky vendim nga shoqëria shqiptare dhe si e parashikoni impaktin politik të këtij vendimi?

Presidenti Meta: Unë ende shpresoj që Shqipëria të marrë ftesën për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian sa më parë të jetë e mundur, madje brenda këtij muaji, së bashku edhe me Maqedoninë e Veriut. Por është shumë e rëndësishme që në orët e ardhshme dhe në ditët e ardhshme të demonstrojmë pjekuri për të kapërcyer këtë krizë dhe kjo është mënyra e vetme që Shqipëria të ketë shanse më të mira për një vendim pozitiv në qershor apo shtator – kjo nuk është më e rëndësishmja, – por sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, nëse kriza do të vazhdojë, shanset mund të minohen për vite me radhë, e jo për disa muaj. Kjo është e qartë.

Gazetari: Pse e keni këtë opinion? A mendoni se përplasja aktuale politike është kriter kyç për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian?

Presidenti Meta: Funksionimi i institucioneve demokratike është thelbësor për çdo vendim të niveleve më të larta politike. Siç e kam nënvizuar, standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kanë qenë gjithmonë vendimtare për vendime të tilla. Shqipëria ka pasur disa probleme edhe në të kaluarën me zgjedhjet dhe nëse nuk tregojmë normalitet dhe përparim në lidhje me zgjedhjet e ardhshme vendore do të ishte një katastrofë.

Gazetari: Ka gjithashtu shqetësime të tjera të shprehur nga vendet anëtare të BE-së dhe që janë përfshirë në raportin e Komisionit Europian. Do të veçoja zhgënjimin sa i përket mungesës së dënimeve ndaj personazheve të rëndësishme të botës së krimit, të përfshirë në trafik droge si edhe luftës ndaj krimit të organizuar. A vazhdon Shqipëria të ketë probleme serioze me krimin e organizuar sipas këndvështrimit tuaj?

Presidenti Meta: Sundimi i ligjit dhe përparimi i prekshëm në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe ndaj korrupsionit është thelbësor për të ecur përpara. Shqipëria ka nisur një reformë mjaft të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, por duhet bërë akoma më shumë për të treguar vullnet politik për ta zbatuar me përpikmëri. Gjithashtu, për të qenë partnerë edhe më të besueshëm për të gjithë partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar.

Gazetari: Pra, ju mendoni se duhet bërë akoma më shumë përparim. Pse është dashur kaq shumë kohë për procesin e vetting-ut? Përse Shqipëri është pa Gjykatë Kushtetuese për tetëmbëdhjetë muaj?

Presidenti Meta: Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është një problem i madh për vendin dhe kjo e ka ndihmuar qeverinë për të marrë autoritet shtesë që nuk është i përcaktuar në Kushtetutën e Shqipërisë. Gjithsesi, unë shpresoj që gjërat të përmirësohen në muajt e ardhshëm, por tani është e rëndësishme të adresojmë krizën dhe të kemi më shumë kohë për të gjitha reformat që duhen zbatuar.

Gazetari: Nëse Shqipëria nuk merr ditën jeshile për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE këtë muaj, a mendoni se do të ketë rrezik për rritjen e emigracionit në masë, të ligjshëm apo të paligjshëm, pra shkaktimin e një vale të re emigrimi nga ky vend? Ne shohim që tani se një numër shumë i madh shqiptarësh largohen nga vendi i tyre për të nisur punë në një vend të huaj, sepse këtu pagat janë të ulëta. Papunësia e të rriturve është në nivelin 12%, e të rinjve është 22%. Numra shumë të vështirë për t’u menaxhuar nga çdo qeveri…

Presidenti Meta: Nuk do kisha dëshirë të përshkruaja skenarin më të keq, atë që ju përmendni. Jam i vendosur të luftoj për skenarin më të mirë, që do të thotë gjetja e një zgjidhje sa më parë, të tregojmë pjekurinë e duhur që qytetarët tanë të kenë më shumë besim për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe që gjithashtu partnerët tanë të jenë më të bindur se ne e meritojmë çeljen e negociatave me Bashkimin Europian sa më parë të jetë e mundur.

Gazetari: A mendoni se Shqipëria është gati për të nisur bisedimet për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në?

Presidenti Meta: Unë mendoj se shqiptarët janë gati, por udhëheqja politike dhe përfaqësuesit e institucioneve duhet të tregojnë më shumë pjekuri në mënyrë që të rrisim besimin te vendimmarrësit në Bashkimin Europian për ta hedhur këtë hap.

Gazetari: Të kthehem pak të situata politike, që ju e cilësuat si pengesa kryesore. Polarizimi është ekstrem, situata shumë konfrontuese dhe duket se edhe ju jeni përfshirë tashmë në këtë vorbull. Ndërsa ju prisni që këto zhvillime të fuqishme politike të shpëtonin sistemin, sistemi duket se ju ka thithur.

Kryeministri Rama vuri në dyshim neutralitetin tuaj gjatë fjalës së tij në Parlament të enjten dhe tha se ju i keni dhënë fund të drejtës për të qëndruar në zyrën e Presidentit të Republikës, sepse ju jeni bërë të njëanshëm në postin tuaj, duke mbështetur qëndrimin e opozitës dhe keni kërkuar anulimin e zgjedhjeve. Qëndrimi i qeverisë është në krahun e kundërt. A druheni se do të humbisni të paktën imazhin e neutralitetit tuaj në shoqëri dhe në opinionin publik?

Presidenti Meta: Jo, unë jam i sigurt se vendimi im gëzon një mbështetje mjaft të madhe në shoqërinë shqiptare dhe opinionin publik, sepse çdo familje shqiptare ishte nën trysni nga kjo situatë konfrontuese dhe njerëzit në përgjithësi nuk dëshironin të shikonin e të ishin dëshmitarë të këtyre lloj zgjedhjeve.

Por dua t’ju bëj me dije se zoti Rama nuk ka arsye për të qenë i zhgënjyer me mua, sepse një nga argumentet e tij më të forta kur më propozoi për President i Republikës, – asokohe ishim edhe partnerë në koalicionin qeverisës, – ishte se ai nuk mund të gjente dikë tjetër më të mirë që do të garantonte të drejtat e opozitës se sa zoti Meta. Dhe duke marrë një vendim të tillë, unë nuk po përpiqem të mbaj anën e partive opozitare, por jam gjithashtu i detyruar të garantoj të drejtat e opozitës në Shqipëri, sepse ky është një parakusht për të garantuar pluralizmin politik, mbi të cilin është ndërtuar i gjithë sistemi kushtetues i vendit. Gjithashtu, pluralizmi politik është i garantuar vetëm nga zgjedhje të lira e të ndershme sipas Kushtetutës së Shqipërisë. Dhe është shumë e rëndësishme gjithmonë t’i kujtojmë edhe Kryeministrit se qeveria ka përgjegjësi më të mëdha, sepse ka përgjegjësi për të gjithë vendin dhe gjithashtu për të gjithë qytetarët e këtij vendi, të cilët janë taksapagues dhe kontribuojnë në buxhetin që menaxhohet nga kjo qeveri.

Thënë kjo, shpresoj se qeveria dhe Kryeministri do të reflektojnë në mënyrë konstruktive në ditët në vazhdim dhe do t’i shërbejnë interesit më të mirë të vendit.

Gazetari: Pyetja e fundit. A gëzon Kryeministri Rama besimin dhe mbështetjen tuaj si kreu i qeverisë së këtij vendi?

Presidenti Meta: Kjo është një pyetje të cilës i jam përgjigjur më parë, kur e kam dekretuar si Kryeministër i Shqipërisë. Prisja që ai me kalimin e kohës në atë detyrë të ishte me fleksibël dhe bashkëpunues me opozitën, sepse para së gjithash, sfidat me të cilat përballet vendi mund të adresohen me sukses vetëm duke u bazuar në bashkëpunim më të gjerë. Dhe pres që ai ta lërë pas këtë retorikë përçarëse që e përdor aq shumë dhe që nuk po ndihmon mundësinë e një konsensus më të gjerë, por edhe politikat më gjithëpërfshirëse që vendi të jetë më i bashkuar.

Gazetari: Zoti President, faleminderit që dhatë këtë intervistë për Al Jazeera-n!

Presidenti Meta: Faleminderit edhe ju!

Top Channel