Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë dje në përurimin e këndit më të ri të lojërave, i quajtur “Latitude”, i cili jo vetëm që ka krijuar një hapësirë të re për fëmijët dhe prindërit e tyre, por edhe ka sjellë më shumë punësim.

“Ka ardhur dita që edhe sipërmarrësit shqiptarë po shohin potencialin që kanë investimet për fëmijët, tek jeta e shëndetshme, tek të marrurit me sport të pastër, tek loja në skuadër, tek një mënyrë shumë më e mirë për të kaluar kohën, se sa kafenetë, bingot apo bastet. Më bëhet zemra mal sepse do të thotë që ajo që mbollëm me fushatën e këndeve të lodrave, kur merr bekimin e biznesit, i cili është gjithmonë më dyshues sepse i duhet të marrë kredi, të harxhojë para, do të thotë që kemi bërë gjënë e duhur”, u shpreh ai.

Veliaj nënvizoi se partia kryesore e qytetarëve shqiptarë duhet të jetë familja e tyre dhe shtoi se 45 këndet e hapura vetëm në katër vite, kanë sjellë edhe një emancipim të familjeve shqiptare dhe të gjithë shoqërisë sonë.

“Jam shumë i lumtur që është krijuar një hapësirë fantastike, ndoshta më e mira në Ballkan, për të kaluar kohë cilësore dhe kohë familjare. Merremi shumë me gjëra pa vlerë dhe harrojmë që partia kryesore, qëllimi kryesor, sipërmarrja kryesore e njeriut është familja e tij”, tha Veliaj.

Top Channel