Kampioni kombëtarë i qitjes Arben Kucana ka vendosur të flasë publikisht për një skandal që ndodh në Federatën Shqiptare të Qitjes Sportive.
Sipas letrës së hapur publike që ai ka bërë duke ja drejtuar veçanërisht Ministrisë së Sporteve dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, tregon se si presidenti i kësaj federate, Stefan Rrufa ka vendosur që të çojë të birin e tij, Henri Rrufa, një qitës 22-vjeçar pa asnjë rezultat të mirë ndërkombëtarë si përfaqësues të Shqipërisë, në kampionatin Europian, duke lënë jashtë kampionin kombëtar. Në një intervistë për Top Channel , Arben Kucana sqaron situatën.
“Unë jam kampion kombëtar, vjet dhe sivjet ai nuk është pjesëtarë në asnjë klasifikim botëror apo Europian. Ne shkojmë për të garuar për Shqipërinë jo për familjen e zotit Rrufa”, ka thënë në një lidhje live në Skype, Arben Kucana.
Federata e Qitjes ka patur një reagim për këtë deklaratë duke e justifikuar dërgimin e të birit të Presidentit si një zgjidhje, për të stimuluar të rinjtë falë një ftese shtesë që ka siguruar nga federata botërore, por kjo ndodh vetëm në kategorinë e meshkujve pasi për femra sportistja e dërguar, gjithashtu me ftesë, Manuela Delilaj është e një moshe të ngjashme me të Kucanës ndoshta edhe diçka më tepër. Gjithsesi kampioni kombëtar nuk ka ndërmend të lë me kaq këtë veprim, që sipas tij është një gjest i pajustifikueshëm.
“Ne nuk kemi gjë me djalin atij se jam edhe vet prind por nuk mund të përfitosh nga manipulimet e babait. Ne ku ta gjejmë që ai të bëhet sportist i mirë të na e kalojë ne, por kjo që ka bërë i ati i tij është një lajthitje e presidentit se sdi ça të them tjetër”, ka shtuar Arben Kucana.
Top Channel