Ilir Polena, një qytetar i Korçës zotëron çelësat e një apartamenti, por jo pronësinë e tij. Ai e bleu hyrjen në katin e katërt të një pallati, gjatë një ankandi të zhvilluar nga Zyra Përmbarimore.

“E bleva në muajin dhjetor. Pasi mbylla të gjitha procedurat aplikova për certifikatë. Vjen me postë për 2 javë më thanë”, tregon Iliri.

Certifikata e pronësisë që Hipoteka e Korçës i ka dhënë, figuron për një tjetër apartament, atë të komshiut të Ilirit në katin e parë të pallatit.

Pyetja që shtrohet është, po banori i katit të parë, certifikatën e pronësisë të kujt zotëron?

Ndërsa, për apartamentin që Iliri ka blerë, figuron që certifikatën e pronësisë ta ketë një familje që jeton disa metra larg pallatit. Po në apartamentin që kjo familje jeton, kush mund ta ketë certifikatën e pronësisë?

Kjo merimangë ngatërrese, ka ndodhur në lagjen numër katër në Korçë, ku për vite me radhë institucionet i kanë zvarritur çështjet e pronave. Një rrëmujë e tillë në një tjetër qytet do kishte sjellë edhe pasoja të rënda, por qytetarët e Korçës jane mirëkuptuar me njëri-tjetrin edhe pse jetojnë në shtëpinë e tyre, por që tapinë e ka dikush tjetër.

Iliri, prej disa muajsh, po përpiqet që t’i jap një zgjidhje kësaj çështje, por hipoteka e Korçës, e vetëdijshme për këtë ngatërresë të adresës së apartamentit, kërkon që procedurat të nisen edhe njëherë nga e para. Kostot e këtij shërbimi, që Iliri i ka paguar njëherë, hipoteka thotë që duhet t’i paguajë përsëri.

Top-Channel, për këtë çështje iu drejtua edhe Hipotekës së Korçës.

Së bashku me Ilirin, ne u interesuam pranë Hipotekës së Korçës. Zyra e informacionit na tha që Iliri mundet ta takojë drejtoreshën çdo ditë të enjte, ndërsa neve, si media, na u tha që të bënin një kërkesë me shkrim për të folur me drejtoreshën.

Top Channel do të interesohet përsëri për këtë çështje për të parë nëse Hipoteka e Korçës, do të mbajë përgjegjësi për ngatërresat që janë bërë me pronat.

Top Channel