Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të thërritet në Prokurori në cilësinë e të pandehurit për kontratat e lobimit në SHBA. Në njoftimin e Prokurorisë thuhet ndër të tjera se Basha do të shoqërohet me forcë nëse nuk paraqitet, ashtu siç e parashikon procedura.

Basha duhet të paraqitet të hënën e 17 qershorit, në orën 09:00, në zyrat e organit të akuzës.

Përveç kryeopozitarit, për këtë çështje janë proceduar Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Sipas prokurorëve Ervin Karanxha, Gjergji Tako dhe Kolë Hysenaj, tre të pandehurit kanë kryer vepra penale të parashikuara nga nenet 190/3 dhe 287/ç të Kodit Penal.

“Paraqitja kërkohet për të njoftuar akuzën dhe për t’u marrë në pyetje me cilësinë e të pandehurit”, thuhet në njoftim.

Basha është paraqitur në Prokurori për këtë çështje edhe në mars të 2019-ës, duke mohuar të gjitha akuzat se ka shkelur ligjet me kontratat e lobimit në SHBA, përpara zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës.

“Ka një vit e gjysmë që ka nisur ky hetim, ka 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA e Britania e Madhe. Ato vërtetojnë se PD dhe drejtuesit e saj nuk ka shkelur asnjë ligj në Shqipëri, Amerikë e Britani. I kërkoj prokurorisë të bëjë publike përgjigjet e SHBA dhe Britanisë”, do shprehej Basha përpara gazetarëve pasi kishte dhënë dëshminë në Prokurori.

Sipas njoftimit të muajit mars, Prokuroria theksonte se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga PD dhe shpenzimeve reale të saj.

“PD ka deklaruar vetëm 25 mijë dollarë, por nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarësh. Në dokumentat e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia dalin qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, pra PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin”, thuhej në deklaratë.

Top Channel