Hong Kong: Në mbrëmje protestohet, në mëngjes pastrohet

13/06/2019 19:01

Prej ditësh protestohet në Hong Kong kundër një ligji për ekstradimin, madje nuk ka munguar edhe dhuna dhe konfrontimet, gazi lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës.

Por, pas protestës ka edhe një tjetër fazë, atë të pastrimit të gjithëçkaje që ajo ka lënë pas. Janë vetë protestuesit ata që një mëngjes më pas kthehen në vendet ku mbrëmjen e shkuar derdhën gjithë zemërimin e tyre dhe nisin pastrimin.

“Edhe pse veprimet tona në protestë mund të kenë qenë shumë radikale apo mund të kenë krijuar shumë mbeturina, unë jam shumë i prekur sepse ka ende protestues dhe njerëz të tjerë, që kthehen dhe pastrojnë Hong Kongun. Ne duam vetëm të pastrojmë. Nuk jemi pjesë e asnjë organizate por duam vetëm të përmbushim përgjegjësitë tona. Ne e krijuam këtë dhe ne kemi përgjegjësinë për ta pastruar sërish”, është shprehur Yuen Chun.

“Ne nuk dalim në rrugë për të shkaktuar telashe. Ne po luftojmë për një të ardhme më të mirë për Hong Kongun”, është shprehur një protestues, Fung Chin Ho.

Janë me dhjetëra e mijëra demonstruesit që kanë dalë në rrugët e Hong Kongut ditët e shkuara, kundër një ligji të debatueshëm për ekstradimin, që nga shumëkush konsiderohet si cënim i lirive të qytetit. Policia ka përdorur plumbat e gomës dhe gazin lotsjellës mbi turmat pasi protestuesit bllokuan rrugët dhe thuajse paralizuan qytetin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA