Protestuesit në Hong Kong kanë rrethuar ndërtesat qeveritare; me maska në fytyrë e helmeta në kokë ata bllokuan rrugët përreth godinave në fjalë. Policia ka ndërhyre duke përdorur gaz lotsjellës dhe ia bëri të qartë tubuesve se është e përgatitur të përdorë forcën.
Të dielën dolën në rrugë rreth një milion vetë, protesta me e madhe kjo që nga tubimet kundër goditjes së përgjakshme të lëvizjes së demokracisë, qershorin e vitit 1989. Arsyeja që ngriti në këmbe Hong Kongun është ligji i shumëdiskutuar i ekstradimeve në Kinën kontinentale. Kundër tij janë rreshtuar publikisht edhe përfaqësues të shquar të biznesit që druhen për gjendjen e ekonomisë.
Në një hap të pazakontë, sipërmarrës të njohur paralajmëruan se ky ligj mund të minojë besimin e investitorëve globalë dhe të dëmtojë aftësinë për konkurrencë të Hong Kongut. Paralajmërime të ngjashme patën bërë më herët shoqatat e avokatëve, grupet e të drejtave të njeriut dhe dhomat e huaja të tregtisë. Vende si SHBA dhe Kanadaja janë gjithashtu të shqetësuara.
Kryeministrja Carrie Lam e bëri të qartë se do t’i përmbahet ligjit, pavarësisht protestave. E rëndësishme për të është që Hong Kongu të përmbushë detyrimet e tij në luftën kundër krimit ndërkufitar. Të mërkurën, shumica besnike e Pekinit në Këshillin legjislativ të zgjedhur me zgjedhje jo të lira, do ta miratojë ligjin në leximin e dytë, ndërsa votimi përfundimtar pritet të bëhet deri në korrik.
Top Channel