Botërori i zbritjes së lirë në Mountainbike vijoi me ndalesën e tretë të tij në Leogang të Austrisë.
Pista e garimit në këtë vend ndonëse është kritikuar në disa raste për shkak të mungesës së aspektit teknik, njihet për shpejtësinë e lartë që regjistrojnë çiklistët dhe ofron shpesh beteja të vërteta sportive
Emocionet nuk munguan në këtë ndalesë teksa u pa që në kategorinë e femrave, kampionia në fuqi, Rachel Atherton u bë protagoniste e një aksidenti që i shkaktoi edhe humbje kohe gjatë kësaj gare.
Fitorja e kësaj ndalese i takoi australianes Tracey Hannah me 3 minuta 42 sekonda e 107 të mijtat duke lënë në vendin e dytë gjermanen Nina Hoffman, ndërsa në të tretin u rendit kate Weatherly nga Zelanda e Re.
Në klasifikimin e përgjithshëm, në krye është pikërisht Hannah me 650 pikë e ndjekur nga Atherton me 500 dhe Hoffman me 475.
Për meshkuj ai që triumfoi në ndalesën e Leogang ishte francezi Loic Bruni me 3 minuta 16 sekonda e 132 të mijtat i ndjekur në vendin e dytë nga afrikano-jugori Greg Minnaar me 324 të mijtat më shumë, ndërsa vendi i tretë i takoi australianit Troy Brosnan.
Ky i fundit edhe pas këtij vendi të tretë, është në krye të renditjes së përgjithshme me 520 pikë, i ndjekur nga Bruni me 5 pikë më pak në vendin e dytë dhe francezi tjeter Amaury Pierron në të tretin
Top Channel