“Dialogu, e vetmja rrugë”/ Shtëpia e Bardhë deklaratë në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës

11/06/2019 10:47
The White House

Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të lenë mënjanë retorikën ekstremiste dhe të punojnë për një marrëveshje që përqendrohet në njohjen reciproke mes tyre.

Në një deklaratë të lëshuar me rastin e 20 vjetorit të përfundimit të operacionit të NATO-s që i dha fund spastrimit etnik në Kosovë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere tha:

“Prishtina dhe Beogradi duhet të dyfishojnë përpjekjet për të punuar drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke dhe të heqin menjëherë pengesat ndaj përparimit.” “E vetmja rrugë për një të ardhme më të mirë është një dialog midis fqinjësh që të synojë normalizimin e marrëdhënieve dhe t’i hapë rrugën Serbisë dhe Kosovës të kenë vendin e tyre të ligjshëm brenda komunitetit euroatlantik,” tha zëdhënësi.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë gjatë gjithë këtij procesi, por i takon Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapat e ardhshëm,” thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, e cila u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të veprojnë tani e të mos ua lënë punën brezave të ardhshëm.

Hendeku që ndan dy palët nuk është fashitur aspak; ndasitë mes tyre u panë qartë sërish në takimin informues për Kosovën në këshillin e sigurimit, i dyti për këtë vit, ku palët u përplasën ashpër duke akuzuar njëra tjetrën për gënjeshtra dhe mbështetje të gabuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA