Pajisja me kartat e studentit është duke vijuar në Kryeqytet. Kryebashkiaku Erion Veliaj Inspektoi këtë të hënë, procesin në universitetin e arteve.

“Jam shumë i lumtur që kemi një stacion tjetër te Universiteti i Arteve për Kartat e Studentit. Para se të shkëputemi për pushimet e verës do të ezaurojmë të gjithë dhënien e kartave dhe më pas, kush mbetet a vjen në vjeshtë, do të kemi zyra qendrore, për shembull te Sheshi “Nënë Tereza”, pak a shumë siç funksionojmë me kartat e identitetit apo pasaportat; të gjithë do të kenë mundësi të marrin kartat e tyre”, është shprehur kreu i bashkisë, Erion Veliaj.

Veliaj shtoi se studentët e parë që janë pajisur me karta kanë nisur të përdorin shërbimet që u ofrohen.

“Ajo që më inkurajon shumë është se studentët kanë nisur ta përdorin kartën për shërbime të ndryshme dhe private, do të thotë se ka qenë e nevojshme. Po presim sa të shpërndahen të gjitha kartat e do të shohim sa janë shërbimet që duhen moderuar. Vetëm në Tiranë, falë bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, shumë muzeume publike apo private, nga Shtëpia e Gjetheve, Shtëpia Kadare, të gjitha pikat ikonike, teatrot, muzetë e galeritë, janë me ulje; është koha ideale për ta maksimizuar kartën. Edhe nga Shkodra në Butrint e Ksamil, nga Veriu në Jug, kemi një shpërndarje të vendeve ku përdoret karta e studentit. Mezi pres të vazhdojmë ritmin”, ka thënë Veliaj.

Pasi studentët të pajisen të gjithë me kartë, Veliaj tha se do të bëhet edhe porositja e aboneve të udhëtimit me autobusët urbanë në Tiranë.

Top Channel