Motra e Konstandin Katsifes, minoritarit që u vra në 28 tetorin e vitit të kaluar në Bularat, pas një përplasjeje me forcat speciale të policisë shqiptare, do të kryesoje listën kombëtare të kandidateve për deputete të Partisë greke Unioni i Qendrës.
Lajmi dhe fotografia e saj është publikuar menjëherë pas takimit që ajo ka pasur me kreun e kësaj force politike Vasilis Levendis. Sipas deklaratës për shtyp të kësaj partie që i përket spektrit të djathtë, Hermioni Katsifa do te kontribuojë në fushatën për zgjedhjet e 7 korrikut në Greqi.
Ndersa Hermioni Katsifa ka deklaruar se ka pranuar ftesën dhe vjen në këtë parti sepse dënon forcat politike ekstremiste dhe çdo akt dhune, duke treguar kështu se familja Katsifa nuk ka asnjë lidhje me grupet ekstremiste. Lista kombëtare e çdo partie greke përbehet nga 12 kandidatë për deputetë, të cilët nuk zgjidhen në bazë tëvotave personale, por në bazë të shumicës totale të votave që mbledh çdo parti, natyrisht pasi kapërcehet kufiri minimal prej 3% i votave në rang vendi.
Sa më e lartë të jetë përqindja aq më shumë deputetë zgjidhen nga kjo listë. Unioni i Qendrës, bashkë me dy partitë e tjera të vogla, Greket e Pavarur dhe Potami (Lumi) pësuan një goditje totale në zgjedhjet për Parlamentin Europian në 26 Maj, madje humbën edhe numrin e deputetëve të duhur për të qenë grup i veçante i Parlamentit. Konkretisht Unioni i Qendrës mori vetëm 1.45% të votave.
Top Channel