Debati i ç’dekretimit të zgjedhjeve/ Flasin juristë dhe ekspertë zgjedhorë. A futet në kolaps pushteti vendor?

09/06/2019 19:41

Vendimi i presidentit Ilir Meta per të ç’dekretuar datën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit ka sjellë reagimin jo vetëm të politikës, por edhe juristëve dhe ekspertëve zgjedhore.

Juristi Sajmir Vishaj tha për Top Channel përmes telefonit se situata është anormale dhe se vendimi është emocional.

“ Është një vendim absurd. Vendim emocional i Metës. Nuk parashikohet në kushtetutë”, tha Vishaj.

Për ish-kreun e KQZ, Kristaq Kume, vendimi për ç’dekretimin e datës së zgjedhjeve, është i logjikshëm dhe u jep mundësi partive politike që të hyjnë në bisedime.

“Ishte një vendim i logjikshëm i presidentit…”, tha Kume.

Juristi, Sokol Azizaj, e konsideroi vendimin të pabazuar në kushtetutë.

“Kushtetuta nuk e parashikon në mënyrë eksplicite ç’dekretimin e zgjedhjeve. Parashikon dekretimin.”, tha Azizaj.

Ndryshe nga juristi Azizaj, profesori i së Drejtës Kushtetuese, Jordan Daci, shprehet: “Vendimi ka një bazë kushtetuese. Ka ulur gjakrat”.

Koordinatori i Bindja demokratike, Astrit Patozi, parti e cila merr pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, e sheh këtë vendim jo të lidhur me çështje kushtetuese.

“Kjo nuk është çështje kushtetuese, është loje politike”, tha Patozi.

Vendimi për ç’dekretimin e datës së zgjedhjeve, i përplas ekspertët e ligjit lidhur edhe me mandatet kushtetuese të kryetarëve të bashkive.

“Këtu lind problem më I madh. Kushtetuta parashikon që mandati u mbaron. Nuk parashikon kohëzgjatje të mandatit”, thotë Vishaj.

Për Joran Dacin, edhe pse ka një kakofoni ligjore, mandatet në të tilla raste nuk ndërpriten.

“Parimet e kushtetutës nuk lejon që mandate të ndërpriten. Nuk ka nevojë për të pasur vakum ligjor, pasi nuk ka”, thotë Daci.

Presidenti Meta, pritet të dal ditën e hënë në një deklaratë publike, për të dhënë arsyetimet ligjore që e çuan në marrjen e vendimit për të ç’dekretuar datën e zgjedhjeve.

Top Channel