Nga Skrapari, kryeministri Edi Rama vlerësoi se kandidati socialist do të sjellë cilësi të re qeverisje ndërsa për administratat e bashkive që qeverisjen nga PD e LSI u tregoi se çfarë do të ndodhë pas 30 Qershorit.

“Kush ka kontribuar dhe kontribuon në bashkitë e vendit për arsye të zotësisë, aftësisë, e përkushtimit nuk duhet të ketë asnjë dyshim se jo vetëm që nuk do të hiqet nga puna, por do të vlerësohet edhe më mirë për punën që bën. Kushdo tjetër që e di edhe vete që është si mbushës i topit të një partie apo tjetër do largohet që në datën 1 korrik, në kuptimin simbolik se duhet kohë e caktuar për të formalizuar gjithë procesin”, u shpreh Rama.

Nuk i mungoi mesazhi për ata që do të tentojnë të pengojnë zgjedhjet duke e lidhur këtë me Sali Berishën.

“Jo vetëm personalisht por edhe familjarisht do të humbasin të drejtën për të shkelur në SHBA dhe kjo do të fillojë nga këta kryesorët që bëjnë thirrje për dhunë, bëjnë thirrje për përmbysje, bëjnë thirrje për vullnetin e sovranit që do çojë në fund revolucionin e tyre imagjinar dhe kush nuk e beson këtë le t’i bëjë një telefon plakut (Berishës) dhe ta pyes. Edhe pastaj le ta dëgjojë plakun, por nëse plaku thotë jo, më pyesni mua se ju sqaroj unë edhe për plakun”, tha Rama.

Pjesë e fjalimeve politike për kryeministrin Rama janë bërë edhe përgjimet e Bild për të cilat tha se, prokuror të diskredituar, me shumë hije në karrierën e tyre kanë preferuar që në vend që t’i hetojnë ia dorëzuan PD për të ndotur Shqipërinë.

“Përgjime që janë një arsye për të hetuar deri në fund dhe për të çuar para drejtësisë këdo që provohet që ka kryer veprimet e paligjshme, që mund të merren me mend, por duhet provuar dhe që duhet të ishin kryer si hetime me kohë e me vak dhe sikur e keni parë dhe dëgjuar. Në fakt bëhet fjalë për shantazh kundër qeverisë dhe reformës në drejtësi dhe PS-së”, tha Rama.

Ish aleatit Ilir Meta sot president, kryeministri i kujtoi kohët e paqta të aleancës qeverisëse ku kishte kohë edhe për Rafting.

“Falenderoj shumë Ilirin që mi ka treguar kanionet kur bëmë rafting bashkë, por tani e kam mësuar sesi bëhet rafting kështu që e bëj edhe pa shoqërues”, tha kryeministri.

Top Channel