Grupe të organizuara kriminale me prejardhje nga Shqipëria punojnë në Gjermani, për llogari të mafies italiane. Pohimin e ka bërë qeveria gjermane pas kërkesës së Të Gjelbërve mbi ndikimin që mafia italiane ka në vend.
Ndër të tjera në përgjigjen e saj thuhet: “Mendohet gjithashtu se disa anëtarë të Krimit të Organizuar Italian bashkëpunojnë me korrierë të lëndëve narkotike dhe grupime që kanë prejardhje shqiptare. Kjo prek nga njëra anë sektorin e trafikimit të produkteve me kanabis, të cilat prodhohen kryesisht në Shqipëri.
Veç kësaj vihet re një ndarje pune në trafikimin e lëndëve narkotike (kokainës) nga Amerika e Jugut për në Europë dhe transportin e mëtejshëm brenda Europës. Pjesëtarët e Krimit të Organizuar Italian organizojnë blerjen e kokainës në vendet përkatëse. Personat me prejardhje shqiptare dhe strukturat e tyre marrin përsipër detyra logjistike duke e transportuar mallin ilegal nga portet detare të Europës dhe duke e shpërndarë atë më tej në Evropë”, thuhet në raportin e cituar nga DW.
Përveç shqiptarëve, mafia italiane bashkëpunon në Gjermani me edhe me grupime rokerësh ose grupe të ngjashme si edhe me banda të krimit të organizuar ruso-eurazik. Sipas një raportit policor të Ministrisë së Punëve të Brendshme gjermane, shqiptarët zënë vendin e katërt ndër të huajt që kapen nga policia gjermane për vepra penale të lidhura me krimin e organizuar. Sipas qeverisë gjermane, organizata mafioze ‘Ndrangheta, e cila konsiderohet nga më të rrezikshmet, ka 800-1000 anëtarë në Gjermani.
Top Channel