Nga ura vajgurore, ku prezantoi kandidaten socialiste për zgjedhjet e 30 qershorit, Kryeministri Rama ka folur për përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane Bild.

“Lidhur me ato muhabetet e kazanit, sepse askush nuk mund të çohet të thotë se ndonjë nga ne ka ngritur dorën, për të penguar drejtësinë të bëj drejtësi. Askush nuk na ka parë të marrim në mbrojte ndonjë, dhe ja kemi lënë drejtësisë të vendosi se kush është i fajshëm e i pafajshëm. Ndërkohë nga aspekti moral, ata që japin shembull. Drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve e kishin me arrest shtëpie dhe e çonin e ulnin përditë si të pafajshëm e zotëria drejtonte tatimet me pranga në duar”, është shprehur Kryeministri Rama.

Për kryeministrin hetimi i kësaj dosjeje duhet të kishte përfunduar me kohë.
“Po dëgjoja kryeprokuroren e krimeve të rënda. Me shumë vonesë, por ka zbuluar arsyen, se këto përgjime të mëdha, nuk janë asgjë më tepër se sa shkelja e sekretit hetimor, ndërkohë që duhet te ishte përfunduar me kohë hetimi. Shikoni kush i ka mbajtur këto përgjime në sirtar, për t’i përdorur për politik, sepse njëri nga ata i kanë çuar te partia, për t’i përdorur, për të shantazhuar këtë qeveri”, ka shtuar Kryeministri.

Këtë herë, nuk munguan as akuzat nga Kreu i Ekzekutivit, drejtuar liderit të opozitës.
“Ne e kemi bërë ndarjen, drejtësia duhet të bëjë punën e vet. Ata duan të bëjnë gjyqet publike, popullore si në kohën e luftës, pa avokat, pa prova, pa hetime e pa asgjë. E më e bukura është se ai që i udhëheq këto procese publike, është një person i akuzuar nga prokuroria, jo me përgjime por me 270 faqe akuzë dhe sot është një person në hetim jo vetëm në Shqipëri por edhe në SHBA, për 1 milionë dollar, që nuk dihet nga erdhën dhe pse. Luli Luli, nuk flas për atë plakun e marrë”, ka thënë Kryeministri në fjalën e tij.

Rama u rikujtojë qytetarëve, se kush guxon të ndërhyjë procesi zgjedhor, do të përballej me ligjin.

Top Channel