Erion Veliaj që garon për një mandate të dytë për Bashkinë e Tiranës sëbashku me kryeministrin Edi Rama e vijuan fushatën elektorale me banorët e Njësisë Adminstrative nr 10 në kryeqytet, nga ku për herë të parë pas shumë kohësh Fatmir Xhafaj u shfaq në publik përballë kryesocialistit Rama.

Veliaj tregoi planin tranformues për Kopshtin Zoologjik e atë Botanik.

“Do vijë VKM që bashkon Kopshtin Zoologjik me Kopshtin Botanik, kemi edhe një dakordësi me dekanin e Shkencave të Natyrës. Ata nuk kanë fuqi që ta mbajnë, ne do të bëjmë një marrëveshje ku do të themi që Bashkia menaxhon Kopshtin Zoologjik dhe Kopshtin Botanik si një njësi e vetme. Marrëveshja do t’u japë akses të plotë atyre për nevojat e mësimore, për eksperimente biologjike, të klasave të hapura, të praktikave studentore. Por, me mirëmbajtje nga bashkia. Kemi përgatitur gjithë materialin dhe mund ta hapim garën për projektin vetëm kur të kemi pronën. E kemi ndarë në tre faza, botaniku, zoologjiku dhe lidhja mes tyre, në formë tuneli si një akuarium”, u shpreh Veliaj.

Më tej ai theksoi se një nga projektet që do prekë edhe këtë njësi është ai për çlirimin e trafikut të makinave në pjesën e Unazës së Vogël nëpërmjet kalimit të saj nën tokë, nga segmenti te Shallvaret deri te pjesa përpara sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Kryeministri u rikthye vite në kohë kur për herë të parë kishte vizituat kopshtin zoologjik.

“Ishte një tmerr. Luanit ia kishin shtruar kafazin me pllaka metalike, e ai i shkreti rrëshqiste”, tregoi Rama.

Një prej pjesëmarrësve donte të sigurohej nëse do të mund të shkonte në 30 qershor të votonte.

“Për çfarë m’i bëni kot këto pyetje. Çfarë të bëjmë tjetër. Po të ishte për punë rehati, i bënim kur të donin. Por po filloj kjo lojë nuk mbaron më”, u shpreh Rama.

Tërmeti në Floq u kthye temë bisede gjatë këtij bashkëbisedimi.

“Çdo bashki do të marrë përsipër një shtëpi. U thashë që një pjesë të fondeve tona të fushatës, t’i fusim aty. Edhe si PS të japim kontributin tonë. Më mirë t’i fusim aty, se sa t’i bëjmë postera lekët”, u shpreh Rama.

Top Channel