Trump takon kryeministren Theresa May, në Britani

04/06/2019 22:02

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se beson se Britania mund të ketë një marrëveshje thelbësore tregtie me SHBA-në pasi të dalë nga BE. Trump foli ndërsa ai dhe Kryeministrja Theresa May mbajtën një takim me liderët e biznesit, në ditën e dytë të vizitës së tij në Britaninë e Madhe.

“Ne do të punojmë shumë por mendoj se duhet të kemi një marrëveshje tregtare shumë të rëndësishme, që do të jetë një marrëveshje e drejtë dhe mendoj se është diçka që ju dhe ne e duam”, tha Donald Trump.

Vizita e Trump në Mbretërinë e Bashkuar, është pritur me protesta në shumë qytete të vendit ndërkohë që edhe pjesa e mbetur e qëndrimit të tij do të shoqërohet nga manifestime.

Të hënën në mbrëmje, Trump ishte i ftuari i Mbretëreshës Elisabetë, në një darkë shtetërore në Pallatin Bukingham, ku lavdëroi, siç tha, miqësinë e përjetshme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ne jemi të nderuar që jemi të ftuarit tuaj në këtë vizitë historike. Faleminderit për mikpritjen dhe miqësinë thuajse shtatë dekadëshe të madhërisë suaj me Shtetet e Bashkuara”, shtoi Trump.

Mbretëresha Elizabeth ndërkohë, tha se dy vendet kremtojnë aleancën, e cila ka garantuar sigurinë dhe prosperitetin e dy popujve për dekada.

“Ne shohim nga e ardhmja dhe jam e bindur se vlerat dhe interesat tona të përbashkëta do të vazhdojnë të na bashkojmë. Sot ne festojmë një aleancë që ka ndihmuar të garantojë sigurinë dhe prosperitetin për popujt tanë për dekada dhe që unë besoj se do të zgjasë edhe për shumë vite në vijim”, tha Mbretëresha Elisabeth.

Vizita e Presidentit koincidon me përkujtimin e 75 vjetorit të zbarkimeve të asaj që njihet si “D-Day”, ku mbretëresha dhe trump do të marrin pjesë të mërkurën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA