Dushan dhe Çupko, të dy e kanë humbur rrugën e tyre në jetë para se ta gjenin veten pas hekurave në burgun më të madh të Serbisë.

Tani, çifti, një i dënuar 49-vjeçar dhe qenushi leshator, shpresojnë të largohen bashkë, falë një programi që i kombinon të burgosurit me qen të braktisur dhe i përgatit të dy për një mundësi të dytë.

Skema e riintegrimit social, në të cilën të dënuarit kalojnë dy orë në ditë duke u mësuar qenve komandat bazë, është një pëpjekje e re në sistemin penitenciar, në një rajon burgjet e të cilit janë të njohur si ndër më të populluarit në Europë.

“Në fund të trajnimit, pas 10 javësh, ata janë aq të lidhur me njëri-tjetrin saqë të burgosurit apo familjet e tyre i adoptojnë qentë me të cilët kanë punuar dhe i marrin në shtëpi”, tha Predrag Balanac, oficer policie.

“Unë kam adoptuar dy qen dhe planifikoj të marr edhe një tjetër. Po ashtu kam në plan të hap një hotel për qentë, për t’u kujdesur për ta kur pronarët duhet të largohen. Kjo është në fakt një ëndërr”, tha Radomir Djakoviç, i dënuar.

Që kur programi nisi dy vite më parë, rreth 80 të dënuar kanë kaluar në kursin 10-javor të trajnimit. Qëllimi është t’i bëjnë qentë të gatshëm për adoptim, por edhe të reduktojnë shkallën e ripërsëritjes së krimit, duke i përgatitur të dënuarit për punësim në vende si strehat e kafshëve apo kopshte zoologjike.

Top Channel