Kombëtarja shqiptare ndodhet në Frankfurt të Gjermanisë, ku do të vijojë punën për sfidat kualifikuese të “Euro 2020” me Islandën dhe Moldavinë. Tashmë në drejtimin e trajnerit të ri Edy Reja, për futbollistët kuqezi ka rëndësi që të jenë sa më të përqëndruar, për të qenë gati për këto dy ndeshje.
“Çdo gjë po shkon mirë, po përgatitemi seriozisht. Stërvitja ka qenë intensive. Përqëndrimi ka qenë maksimal nga të gjithë, që të shkojmë në formën më të mirë të mundshme. Gjërat ndryshojnë. Është një trajner i ri me një metodë tjetër pune dhe në çdo ekip është më se e kuptueshme që të ndodhin. Por, ajo që ka më shumë rëndësi për ne është që për këto dy ndeshje të jemi gati”, tha Bekim Balaj, sulmues i Kombëtares.
Futbollisti tjetër i Kombëtares, Frederik Veseli deklaroi për ndryshimin në stolin e skuadrës se nuk i takon atij të gjykojë trajnerin e ri, pasi detyra e tij është të japë maksimumin në fushë.
“Është shumë herët për të gjykuar punën e trajnerit dhe nuk është dëshira apo qëllimi im të gjykoj. Unë jam futbollist dhe bëj punën time si çdo lojtar i Kombëtares. Jam i sigurtë se me 6 pikë do të ishim të kënaqur. Qëllimi ynë është që të përqëndrohemi dhe të luajmë mirë në ndeshjen e parë, shpresojmë që të bëjmë një paraqitje shumë pozitive”, tha Frederik Veseli, mbrojtës i Kombëtares.
Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë përgatitjet në Frankfurt deri në datën 7 qershor, kur do të niset drejt Rejkjavikut për ndeshjen me Islandën, ndërkohë që atë me Moldavinë do ta luajë në “Elbasan Arena” më 11 qershor.
Top Channel