Kryetari e radhës së OSBE-së dhe njëkohësisht Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake, Miroslav Lajçak ka folur për incidentin me ambasadorin e OSBE në vendin tonë, Bernd Borchardt, në banesën e të cilit disa persona shkruan “Borchardt shame on you”. Gjatë konferencës me ministrin Cakaj në Tiranë, Lajçak tha se dhuna dhe frikësimi i zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare është e papranueshme.

“Dhuna dhe frikësimi i zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare është e papranueshme. Ne i përbuzim fuqimisht përpjekjet e bëra ndaj misionit të OSBE, ndaj falënderojmë qeverinë për ndërmarrjen e veprimeve të duhura në këtë drejtim!”, tha Lajçak.

Më pas ai kritikoi opozitën, duke thënë se përshkallëzimi  i dhunës në protesta, është bërë i mërzitshëm.

“Të gjithë aktorët politik duhet të angazhohen plotësisht dhe të kontribuojnë në funksionimin dhe forcimin e këtyre institucioneve. Në demokraci ka rëndësi që të dëgjosh zërat kritik dhe protestat paqësore, janë një e drejtë themelore e qytetarëve tanë që duhen respektuar. Njëkohësisht dua të theksoj se dallimet duhet të debatohen në Parlament, nga të gjithë përfaqësuesit, përfshi edhe opozitën.

Përshkallëzimi i dhunës gjatë disa protestave të drejtuar nga opozita, është bërë shumë e mërzitshme. Trazirat nuk duhet të zëvendësojnë angazhimin demokratik, përkundrazi ato  heqin çdo shans për dialog dhe çdo shans për të gjetur një terren të përbashkët.

Dua të them shumë hapur se vazhdimi i protestave të dhunshme do të dëmtojë përpjekjet e Shqipërisë për reforma. E vetmja mënyrë për të arritur përparim dhe për të gjetur zgjidhje,  është përmes dialogut konstruktiv dhe me të gjithë palët e interesuara, si shoqërinë civile, botën akademike,  për të tejkaluar këto dallime dhe për të punuar në interes të vendit tuaj”, tha Presidenti  i OSBE-së.

Gjatë konferencës, Kryetari e radhës së OSBE-së foli edhe për djegien e mandateve nga ana e opozitës.

“Dua të them gjithashtu se vendimi i opozitës për të hequr dorë nga mandatet e tyre është për të ardhur keq. Demokracia kërkon kontroll dhe balancë dhe opozita ka një rol të rëndësishëm. Pjesëmarrja në institucionet demokratike është e vetmja rrugë e ligjshme drejt pushtetit politik”, u shpreh ai.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA