Rikthehet dhuna te Parlamenti/ 90 minuta “luftë” me kapsolla dhe fishekzjarre në drejtim të policisë

02/06/2019 23:10

Protesta e 2 qershorit u mbyll me akte dhune, ndryshe nga ajo që opozita organizoi një javë më parë. Ajo nisi e qetë me tullumbace të shkruar “IK” dhe me një tubim ku mijëra njerëz dëgjuan liderin demokrat Basha përpara godinës së kryeministrisë. Basha tha se pushteti i krimit ka vdekur moralisht, por duhet te kallet edhe politikisht. Koha e fjalëve dha lideri demokrat ka mbaruar.

“Koha e fjalëve të tepërta ka mbaruara, mesazhet tona janë të plota dhe të qarta. Vendosmëria juaj flet vetë, me praninë dhe qëndrimin në këtë shesh deri në largimin e tiranisë së krimit. Çdo orë që kalon e bën më akute nevojën për zgjidhje politike”, u shpreh Basha.

Të pakta ishin shashkat dhe tymuese e hedhura në godinës e kryeministrisë ndërsa protestuesve iu bë thirrje t’i drejtohen Parlamentit. U duk se çdo gjë do të shkonte e qetë, por ne fakt një arsenal i tërë lëndësh piroteknike u derdh mbi forcat policore te cilat ishin ne ruajtje te ndërtesës.

Dhuna u përshkallëzua brenda pak minutash dhe zgjati për më shume se 90 të tilla derisa organizatorët e protestës u tërhoqën protestuesit. Brenda pak minutash qe kur nisi hedhja e fishekzjarreve dhe lëndëve të tjera të paktën 10 policë u plagosën.

Kjo e detyroi ministrin e Brendshëm që t’i dërgojë një thirrje publike kreut te opozitës Lulzim Bashes që të ndërpriste dhunën ndaj efektivëve të policisë. Pas këtij mesazhi forca të shumta policie të ndërhyrjes se shpejtë u vunë në ndihme të kolegeve te tyre të sulmuar tek Parlamenti.

Policia për të shpërndarë protestuesit përdori edhe gaz lotsjellës. Pas përdorimit te tij, protestuesit u shpërndanë ndërsa lideri demokrat mbajti fjalën si në çdo mbyllje proteste përpara selisë së Partisë Demokratike. Ai paralajmëroi protestën e radhës, duke u shprehur se fjalën do ta ketë populli.

“E sotmja është dita e fundit që iu drejtohem me argumentet e arsyes të gjithë atyre me përgjegjësi, kupolës së Partisë Socialiste, se koha po kalon dhe në protestën e ardhshme fjalën do ta ketë vetëm sovrani, vetëm populli”, tha Basha para mbështetësve të tij.

Top Channel