Erion Veliaj, kandidati për kryebashkiak i Tiranës, i cili pritet të marrë mandatin e dytë në këtë post, mbajti fjalën e radhës emocionale përpara të pranishmëve në “Parkun Olimpik” të Tiranës, aty ku Partia Socialiste çeli zyrtarisht fushatën zgjedhore për Lokalet 2019.

“Sot është 1 qershori dhe festën për fëmijët tanë, të ardhmen tonë, e shoqërojmë me çeljen e fushatës për një të ardhme më të mirë për çdo bashki të qeverisjes vendore”, u shpreh Veliaj.

Sipas kryebashkiakut të Tiranës, sot përballemi edhe me disa ‘fëmijë’ që nuk duan aspak zhvillim, dinjitet dhe një jetë më të mirë për shqiptarët.

“Ndaj, më 30 qershor është radha juaj të flisni me votën tuaj, që bashkë me Edi Ramën dhe kandidatët socialistë për 61 bashkitë ta bëjmë Shqipërinë një vend me qeverisje më dinjitoze. Atë që kemi bërë për Tiranën, ta bëjmë edhe për qytetin më të largët të Shqipërisë”, deklaroi Veliaj.

Erion Veliaj, përpara se të ftonte disa personazhe tejet të njohur për publikun, si Gazmend Paja, Eneda Tarifa dhe Anxhela Peristeri, tha se “për të gjithë ata që nuk duan të kthehen edhe njëherë në vitin 1997, e që nuk duan të bëjnë hapa pas, më 30 qershor ka vetëm një zgjidhje: Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Top Channel