Çdo shesh qyteti anembanë Shqipërisë ishte sot “lëndinë” buzëqeshjesh, hareje dhe gëzimi falë festave lokale të organizuara për fëmijët me rastin e ditës së 1 Qershorit.

Por, askush më shumë se sa të burgosurit në institucionin e vuajtjes së dënimit në qytetin e Fierit nuk është gëzuar sot, teksa ka pasur pranë vogëlushët që transmetojnë veç ëmbëlsi dhe pozitivitet.

Për ata, që vuajnë dënimin në burgun e Fierit kjo ditë ishte ndoshta më e hareshmja dhe e gjitha kjo falë iniciativës dhe idesë inovative të Drejtorit Arjan Hasani, i cili kishte zgjedhur që më 1 Qershor të hapte dyert për fëmijët e të burgosurve dhe për disa orë t’i bashkonte ata me vogëlushët e tyre.

“Urim për fëmijët e banorëve të përkohshëm. Kjo nuk është një ditë e planifikuar, por është një festë për ju dhe për fëmijët tuaj”, u shpreh Drejtori i IEVP Fier, teksa mirëpriti fëmijët e të dënuarve dhe i dha jetë një bashkimi disa orësh që e ktheu këtë institucion të vuajtjes së dënimit në një “park” ku mbizotëronte lumturia e buzëqeshja.

Padyshim që për baballarët hija e rëndë e qelisë që veçse e shton mallin për familjen u tret kur vogëlushët me lojërat dhe kërcimet e tyre u transmetuan gëzimin e shtëpisë në Burgun e Fierit.

Dhe për të shtuar më shumë buzëqeshjen, shërbyen edhe paroditë e qëndisura me kujdes nga dy parodistët e Vlorës, të cilët pavarësisht se dy ditë më parë humbën të madhin Muhamet Liko e kthyen dhimbjen në forcë për të qenë së bashku me vogëlushët simboli i haresë së 1 Qershorit.

Më këtë iniciativë dhe përkushtimin e Drejtorit Arjan Hasanaj, Burgu i Fierit që është një investim 12 milionë eurosh i Bashkimit Europian prej disa vitesh është kthyer në një model jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë Ballkanin.

Ky burg ka një kapacitet për strehimin e 5000 mijë të burgosurve dhe rreth 150 të paraburgosurve, ndërsa ndërtimi i tij ka pasur një impakt pozitiv në uljen e numrit të burgosurve në burgjet e tjera të vendit.

Marrë nga Gazeta SHQIP

FOTO GALERI
1/15

Top Channel