Nga zona e “Unazës së Re” në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bëri thirrje për ta shkulur të keqen nga rrënjët, duke thënë se kjo është një rrugë pa kthim.

“Që kjo betejë të shkojë deri në fund ka një dhe vetëm një rrugë. Largimi i Edi Ramës, një qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një Parlament që përfaqëson qytetarët, hallet, problemet, dëshirat dhe aspiratat e tyre si kudo në Europë. Janë produkt i panegociueshëm i rezistencës opozitare dhe i bashkimit popullor që do ta çojë betejën deri në fund”, tha Basha.

Duke folur për protestën e së dielës, Basha përsëriti se largimi i kryeministrit Rama është kusht i panegociueshëm.

“Ka një dhe vetëm një mesazh: Bashkohemi për ta shkulur të keqen me rrënjë, bashkohemi në protestën e nesërme në rrugën tonë pa kthim për të mos lejuar më asnjë dramë njerëzore familjare, asnjë shkelje flagrante të të drejtave dhe lirive tuaja nga një grusht horrash dhe banditësh që nuk janë më as qeveria, as Parlamenti i Shqipërisë, por banda që duhet dhe do ta shporrim me çdo kusht e me çdo çmim”, deklaroi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike bëri thirrje për pjesëmarrje në protestë, duke sjellë shembuj sipas tij të mashtrimit të qeverisë socialiste, që ashtu si me 30 milionët e “Unazës së Re”, me të njëjtën skemë donin të vidhnin 300 milionë euro me rrugën Milot-Balldre, apo me rrugën e Orikumit.

Top Channel