Duke lavdëruar Partinë Socialiste si të vetmen që ka treguar një qeverisje të mirë vendore, Taulant Balla mbajti fjalën hapëse në çeljen e fushatës zgjedhore për Lokalet 2019, teksa tha se do të fitohen edhe ato bashki që nuk kanë treguar të njëjtin nivel qeverisjeje si socialistët.
“Jemi e vetmja forcë politike që ka arritur të tregojë një qeverisje të mirë vendore. Padyshim që më 30 qershor do të marrim përgjegjësinë për të qeverisur edhe në ato bashki që nuk kanë mundur të tregojnë nivelin tonë qeverisës. Duke nisur nga Shkodra, e deri në Gjirokastër”, tha Taulant Balla.
Balla theksoi se ky 1 qershor i gjeti shqiptarët me një lajm të mirë.
“Ky 1 qershor na gjen ne shqiptarët me një lajm të gëzueshëm, rekomandimin pa asnjë kusht për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE. Jo vetëm që në vitin 2019 do të fillojnë këto bisedime, por PS do të jetë në qeverisjen e vendit edhe kur të marrim datën për anëtarësimin”, premtoi Balla.
Por, Balla pati një paralajmërim për ata që premtojnë dhe përbetohen se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor.
“Në fund, më lejoni të them dy fjalë për ata që përbetohen se nuk do të lejojnë të bëhen zgjedhje në Shqipëri: është krim që ndëshkohet rëndë nga Kodi Penal. Jam i sigurtë se nuk ka asnjë budalla që t’u besojë Monës dhe Lulit për të shkuar në burg. Sot jemi këtu për të treguar edhe njëherë se PS është partia që di të bëjë shtet, e që di të mirëqeverisë në të 61 bashkitë e vendit”, paralajmëroi Taulant Balla.
Top Channel