Zbardhet pas 5 muajve ekzekutimi i ish-policit Arben Bilali, ngjarje e ndodhur në Tiranë në 30 janar të këtij viti. Pas hetimeve përmes metodave speciale të hetimit, Policia bëri të mundur zbulimin e të dyshuarit dhe arrestimin e tij.

Ai është Gjergj Cukali, një emër i njohur për Drejtësinë, për shkak të precedentëve të tij të mëparshëm penalë, si një person i dënuar për veprat penale prodhim dhe shitje e narkotikëve, armëmbajtje pa leje dhe rrëmbim personi.

Prokuroria ka ngritur tashmë akuzat për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa pritet që dëshmia e të arrestuarit të japë më shumë detaje mbi krimin.

Në fakt për vrasjen e ish-policit Arben Bilalit pak kohë më parë është arrestuar edhe një tjetër person, ndaj të cilit u mor edhe masa e sigurisë ‘arrest me burg’. Por duket, se mungesa e provave për të e kanë detyruar policinë të vijojë hetimet.

Arben Biliali u ekzekutua pranë shtëpisë së tij me 10 plumba, ndërsa familja e tij ishte në konflikt dhe e ngujuar. 50-vjecari kishte dalë nga banesa disa orë para se ta qëllonin. Ai po kthehej në shtëpi me një makinë tip “Golf 4”, ku po udhëtonte si pasagjer.

Makina e tij është vënë në ndjekje nga 2 atentatorët që udhëtonin me një “Benz” të zi. Kamerat e sigurisë tregojnë se ai u ndoq për rreth 9 kilometra që prej kryqëzimit të “Vasil Shantos” deri në rrugën “Daniel Ndreka”, ku mbeti i vrarë.

 

Si nisi zinxhiri i vrasjeve mes familjes Xhabafti, Ymeri dhe Bilali

Prokuroria ka dyshime të forta se 3 vëllezërit Bilali, më i fundit i tyre i vrarë në  30 Janar të këtij viti, janë viktima të një zinxhiri vrasjesh të nisura 27 vite më parë për shkak të një borxhi.

Siç thuhet në raportin e referuar në polici, nga Sektori kundër Vrasjeve, krimet e nisura në vitin 1992 mes familjes Xhabafti dhe një familjeje tjetër Ymeri, të dyja këto me viktima, kanë futur në shënjestër edhe familjen Bilali.

Këta të fundit, dyshohet se kanë mbështetur gjatë këtij konflikti mes dy fiseve, familjen Ymeri. Për këtë shkak, sipas dyshimeve ende të paprovuara të policisë, por që nuk iu vendos asnjëherë emër, u vranë brenda një dekade dy vëllezërit Bujar dhe Leonard Bilali.

Të dyja këto krime vazhdojnë të jenë pa autorë. Edhe për ekzekutimin në afërsi të shtëpisë të vëllait të tretë, Arben Bilali, është ngritur pista e hakmarrjes, por nuk përjashtohen edhe dyshimet për ngjarje të tjera.

Për vrasjen e Arben Bilialit, policia mori në pyetje Albert Xhabaftin, që është vëllai i Baki Xhabaftit, vrarë pak kohë më parë. Ai mohoi që të kishte konflikte me familjen e viktimës, duke thënë se ditën e krimit ka qenë me miqtë duke ngrënë drekë, alibi të cilën pretendon se e vërteton nga kamerat e sigurisë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel