Mijëra njerëz nga mbarë bota, pa përjashtuar asnjë prej yjeve të Formulës 1, i kanë bërë nderimet e fundit legjendës së garave me makina, Niki Lauda, trupi i të cilit do të prehet në Vjenë të Austrisë.
Arkëmorti i tij, mbi të cilin u vendos skafandra që mbante në kokë gjatë incidentit të vitit 1976, u vendos në Katedralen “St Stephen” që në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure.
Një meshë pasoi më tej, për të mbyllur gjithçka me një ceremoni private mortore. Lauda ndërroi jetë javën e kaluar në moshën 70-vjeçare në Zvicër, aty ku po trajtohej për probleme me veshkat.
Ish-piloti austriak është shpallur tri herë kampion i Formulës 1, në vitet 1975, 1977 dhe 1984.
Kjo ishte jeta e dytë e tij, pasi thuajse u shpall i vdekur pas aksidentit të tmerrshëm gjatë Çmimit të Madh të Gjermanisë, në pistën e Nurburgringut, në ’76-n. E pavarësisht djegieve të shkallës më të rëndë dhe intoksikimit prej tymrave toksikë, ai u rikthye befasisht dhe mrekullisht në garat e Formulës 1, vetëm 40 ditë më vonë.
Kampioni aktual i Formulës 1, Lewis Hamilton ka qenë mes udhëheqësve të pilotëve të sotëm dhe të së shkuarës, në funeralin e Laudës. Pikërisht këtij të fundit ia kushtoi edhe fitoren e Çmimit të Madh të Monacos, të dielën e kaluar.
“Kjo është për ty, Niki. Shpirti yt luftarak ka qenë krah meje gjithnjë, në çdo hap të karrierës”, shkroi Hamilton në një postim në “Twitter”. “E di që po na sheh nga lart dhe na heq kapelën për këtë sukses të sotmin. Më mungon, na mungon të gjithëve. Shpresoj të të kemi bërë krenarë sot, legjendë”.
That was for you, Niki. Your fighting spirit was right there with me every step of the way. I know you are looking down and taking your hat off to us. I miss you, we truly miss you and I hope we did you proud today, legend. pic.twitter.com/gwNJvFzY8C
— Lewis Hamilton (@LewisHamilton) May 26, 2019
Ish-kampioni i Formulës 1, Alain Prost nga Franca është një prej pjesëmarrësve në meshë. Mes folësve në ceremoni ishin edhe presidenti austriak, Alexander Van der Bellen, si dhe aktori austriako-amerikan dhe ish-guvernatori Arnold Schwarzenegger.
Në postin e shefit joekzekutiv të Mercedesit, Lauda ndihmoi skuderinë gjermane të fitonte titujt e dyfishtë të pilotëve dhe konstruktorëve në 5 sezonet e fundit.
Top Channel