Emisioni “Opinion” nis me aktualitetin politik, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Në studio, drejtuesi i “Opinion”, i nxjerr një video Sali Berishës, të vitit 2006. Berisha si kryeministër, në mënyrë kategorike nuk pranonte shtyrjen e zgjedhjeve, që kërkohej me ngulm në atë kohë nga kryetari socialist, Edi Rama.
“Data e zgjedhjeve nuk mund të shtyhet është vetëm në dorën e presidentit”, deklaroi asokohe Sali Berisha.
“Ky është një nga shembujt tipik të funksionimit të politikanëve tanë me dy standarte. I njëjti politikan që dikur mbronte të njëjtën tezë duke iu referuar kushtetutës që kushtetuta nuk lejon shtyrjen e zgjedhjeve, sot këto deklarata i gjejmë të përmbysura”, tha Mentor Kikia, gazetar.
“Është deklaratë kundra-thënëse. Në atë kohë z. Berishanuk donte të shtynte datën e zgjedhjeve, tani gjen arsye”, tha Mirela Miroli, gazetare.
Dhe përveç videos së paraqitur në Opinion, Top Story gjeti edhe deklarata të tjera të kryeministrit Berisha në vitin 2006. Ai përmendte edhe kushtetutën, si argumentin kryesor që ndalonte shtyerjen e zgjedhjeve.
Por ndryshe nga kriza parazgjedhore e 2007-tës, kur Berisha mbronte kushtetutën sepse nuk lejonte shtyrjen e zgjedhjeve, sot ish kryeministri ka një tjetër qëndrim.
“Kushtetuta nuk është e para, por pluralizmi politik”, deklaroj në “Opinion” Berisha.
“Kur u intereson politikanët kushtetutën e quajnë barrierën më të madhe që nuk duhet shkelur, anashkaluar, kur nuk u intereson është një dokument i zakonshëm që mund të ndryshojë sa herë të duan”, tha Mentor Kikia.
Pra, jemi përballë një historie ku liderët politikë, ndërrojnë vendet mes pushtetit dhe opozitës, por, nuk mbajnë përgjegjësi për standartin e dyfishtë të tyre.
Top Channel