Kreu i opozitës, Lulzim Basha ishte në Fier ku zhvilloi një takim me qytetarët atje.

Basha u tha qytetarëve se “Ramën e kanë njoftuar se Këshilli Evropian në qershor do votojë për mos hapjen e negociatave” dhe se sipas tij ky “është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi ramën dhe qeverinë e tij antievropiane”.

Deklarata e plotë

Bashkimi ynë rritet nga dita në ditë, radhët e protestës popullore shtohen nga dita në ditë, sepse e gjithë Shqipëria ka përqafuar kauzën tonë të drejtë. Ne nuk luftojmë për karrige, ne nuk luftojmë për karrigen e një partie, ne luftojmë që pushteti t’i takojë çdo qytetari, ne luftojmë për çlirimin e Shqipërisë nga banda kriminale e qeveris, nga oligarkia e kusarëve, nga padrejtësia e zuzarëve, ne luftojmë për Shqipërinë si e gjithë Evropa. Ne e luftojmë këtë betejë që kurrë më e njëjta bandë oligarkësh të pangopur e të babëzitur, e njëjta bandë kriminelësh të mos marrë më peng kryeministrin e radhës dhe qeverinë e radhës. Ne luftojmë jo vetëm të largojmë Edi Ramën, por të ndalojmë njëherë e mirë fenomenin e shëmtuar të “Rilindjes” të kapjes së të gjithë pushteteve. Ne luftojmë t’i japim fund tranzicionit dhe t’i hapim rrugën e Shqipërisë Evropiane.

Ramën e kanë njoftuar se Këshilli Evropian në qershor do votojë për mos hapjen e negociatave. Rama është fajtori i vetëm për këtë ndëshkim

Gjendjen në Shqipëri e dinë të gjithë qytetarët, të djathtë e të majtë, e dinë edhe në Bruksel. Edhe ata që bëjnë sikur nuk i dinë. I di edhe Edi Rama. Partnerët tanë ndërkombëtarë ja kanë bërë të qartë atij, sic kanë informuar edhe kryetarin e opozitës, se në gjendjen aktuale, Këshilli Evropian i qershorit do të votojë për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë. Dhe ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi ramën dhe qeverinë e tij antievropiane.

Edi Rama e ka frikë hapjen e negociatave sepse e di fare mirë se çka ndodhur në ato vende ku janë hapur negociatat. Se të parët që kanë shkuar para drejtësisë kanë qenë pushtetarët që kanë abuzuar me pushtetin.

Zgjidhja është e thjeshtë nëse Edi Rama një herë në jetën e tij, një çast në jetën e tij, do të vendoste interesin tuaj, për interesin e vendit, interesin e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi, jo të oligarkëve jo të banditëve, jo të vetës dhe pushtetit të tij, jo të pasurisë së tij, por interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Zgjidhja është e thjeshtë: largimi i tij i hapë rrugë zgjidhjes politike, një qeverie të integrimit europian që do të mundësojë zbatimin e kushteve që Edi Rama dhe banda e tij, nuk i zbatojnë, sepse janë në konflikt interesi me to.

Zgjedhje të lira e të ndershme, dënimin e politikanëve të kapur me krimin në shitblerje votash.

Nuk ka vend që i hapen negociatat në BE pa zgjedhje të lira. Nuk ka vend në BE që i hapen negociatat me shitblerje votash me krimin.
Largimi i Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë rruga jonë drejt Bashkimit Europian

Top Channel