Ministri i Jashtëm në  detyrë Gent Cakaj, gjatë takimit me grupin e vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor ka kërkuar mbështetjen e këtyre vendeve për  hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bratislavë për të diskutuar mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të rajonit tonë.

Në fokus të këtij takimi ishte gjithashtu mbështetja e fuqishme politike e vendeve të Vishegradit në këtë moment të rëndësishëm për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe liberalizimin e vizave me Kosovën dhe avancimin e proceseve integruese në përgjithësi.

Në fjalën e tij, ministri në detyrë Gent Cakaj, theksoi se Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në avancimin e prioriteteve dhe meriton hapjen e negociatave.

Ai gjithashtu, vuri në dukje se Shqipëria e sheh dialogun politik dhe bashkëpunimin rajonal si një ndër elementët kryesorë që bashkuan rajonin dhe e pozicionuan atë në rrugën e duhur të integrimit evropian.

Nga ana tjetër, Ministri në detyrë vlerësoi se është e domosdoshme që Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar angazhimin e tij ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të ruhet motivimi, ritmi i reformave dhe prosperiteti ekonomik e social.

Kryediplomati shqiptar shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e dhënë nga vendet e Grupit të Vishegradit, jo vetëm përmes dialogut politik, por edhe përmes projekteve konkrete.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel