Vlerësimet parapake të kryera nga kompania shell tregojnë se potencialisht vendburimi i Shpiragut mund të rrisë me disa herë prodhimin e naftës në vend.
“Prodhimi aktual i naftës është rreth 18 mijë fuçi në ditë, ndërkohë që nga ky pus potenciali parashikon të prodhojë disa mijëra fuci në ditë që vërteton rëndësinë e madhe të këtij zbulimi të ri”, tha ministrja Balluku.
Sipas Shell, zbulimi i Shpiragut, ka të njëjtën strukturë gjeologjike me fushat e mëdha të Val D’Agrit dhe Tempa Rossas në Itali, të cilat kanë një rezervë nafte prej 480 milionë fuçish dhe aktualisht prodhojnë mbi 50 mijë fuçi në ditë.
“Testimi disa ditor i pusit u krye sipas pritshmërive tona. Volumi komercial i naftës që mund të nxirret nga Shpiragu duhet përcaktuar më tej përmes aktiviteteve të tjera vlerësuese”, tha Rohan Sousa.
Rezultatet e vlerësimit paraprak në Shpirag janë inkurajuese. Por këto pritshmëri duhet ende të konfirmohen nga një testim më i gjatë.
“Hapi i radhës në këtë program vlerësimi është të zhvillojmë një testim të gjatë. Ky testim mund të na cojë në ngritjen e një rafinerie pilot dhe më pas nisjen e prodhimit, që do të jetë subjekt i një vendimi përfundimtar”, tha Rohan.
Nëse edhe testimi i hollësishëm do të konfirmojë rezultatet paraprake dhe pritshmëritë e Shell, përfitimet për ekonominë do të jenë të mëdha.
Mbi 3 miliardë dollarë investime brenda dy vitesh, të ardhura të konsiderueshme nga taksat dhe mijëra vende të reja pune.
Top Channel